Shkroi: Fatbardh Dema
Për gjetjen e një çante me eksploziv në një stacion treni në Berlin të Gjermanisë, ka raportuar të enjten portali në gjuhën shqipe “kosova-sot.info”.
“Gjendet një çantë me eksploziv në një stacion”, mban titullin artikulli që është publikuar bashkë me një imazh në të cilin shkruan “LAJMI I FUNDIT”. I njëjti artikull është shpërndarë edhe në faqen e portalit në Facebook.

Çka nuk shkon me artikullin?
Për dallim nga përmbajtja e artikullit që tregon se rasti ka ndodhur në Berlin të Gjermanisë, titulli nuk e bën të ditur vendin e ngjarjes.
Mediumi që ka publikuar tekstin është i regjistruar në Kosovë, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe ka shumicën e lexuesve shqipfolës (këtu), andaj edhe mos qartësimi në titull se ku ka ndodhur ngjarja, mund të bëjë që audienca ta lexojë lajmin si ngjarje të ndodhur në hapësirat shqipfolëse.
Artikulli në përmbajtje raporton për kërkimet e Policisë së Gjermanisë për një burrë që dyshohet se e ka lënë një çantë me eksploziv në një stacion treni në Berlin dhe se ishte larguar pas ndalimit nga oficerët. Artikulli del të jetë marrë nga portali “telegrafi.com”, që në titull e ka treguar vendin e ngjarjes.
E portali “telegrafi.com” ka cituar median ndërkombëtare “euronews.com” që bashkë me raportimet e mediave tjera ndërkombëtare konfirmojnë se bëhet fjalë për rast që ka ndodhur në Berlin të Gjermanisë.
Analiza:
Portali “Kosova Sot” ka publikuar një artikull me titullin “Gjendet një çantë me eksploziv në një stacion”.
Megjithatë, titulli nuk e tregon vendin e ngjarjes. Për shkak se mediumi i ka shumicën e lexuesve shqipfolës mund të ndodhë që audienca ta lexojë lajmin si ngjarje të ndodhur në hapësirat shqipfolëse.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait’.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.