Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një postimi në TikTok pretendohet se opinionisti Dardan Gashi ka folur për kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai është i vetmi që nuk është dorëzuar kurrë.
Ky postim u gjet i publikuar dje (20 dhjetor) në TikTok nga llogaria “kingalbinkurti”.
Në mbishkrimin e këtij postimi shkruan “Dardan Gashi ‘Albin Kurti është i vetmi i cili nuk është dorëzuar kurr’”.
E vërteta?
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se një deklaratë e tillë nuk është bërë nga Gashi dhe se ka ndërhyrje në imazh duke ia ndërruar edhe mbishkrimin.

Pas hulumtimit përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka arritur të gjejë imazhin e njëjtë ku shfaqet ish-ministri i Diasporës, Dardan Gashi, por që në mbishkrim gjendet një deklaratë tjetër.
Imazhi u gjet i publikuar më 19 dhjetor në Facebook nga faqja “Korrekt Press”, e që në mbishkrim gjendet një deklaratë tjetër.
“Dardan Gashi: “Vuçiqi dhe Albin Kurti e ndihmojnë njëri tjetrin në çdo moment”, thuhet në përshkrim. (shih këtu)
Megjithatë, edhe kjo deklaratë e Gashit, u vërtetua se është e vjetër. Ai në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, këtë deklaratë e kishte bërë më 19 shkurt 2024. (shih këtu)
Analiza:
U publikua një imazh me portretin e opinionistit Dardan Gashit, me pretendimin se i njëjti ka thënë se Kurti është i vetmi i cili nuk është dorëzuar kurrë.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se një deklaratë e tillë nuk është bërë nga Gashi.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.