Shkroi: Fatbardh Dema
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosoves, mbi 95% e popullsisë janë deklaruar myslimanë”, mban mbishkrimin një grafikë e publikuar dje (22 shtator).
Ky postim u publikua në Facebook nga faqet “Lajme Nga Gjilani”, “Info24.Mk”, “Perandoria Osmane dhe Shqiptarët”, “Gazeta e Gjilanit” dhe “Drejt News”.
Çka gjeti hibrid.info?
Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka vërtetuar se grafika me përqindjen e përkatësisë fetare në Kosovë është e vjetër.
Duke u bazuar në kohën e publikimit në Facebook, faqja “Lajme Nga Gjilani”, është vërtetuar se e ka postuar e para këtë pretendim.
Pas hulumtimit të kryer përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka gjetur se kjo grafikë është e publikuar në vitin 2017 nga Radio Evropa e Lirë. (shih këtu dhe këtu)
Infografikë e publikuar në vitin 2017 nga Radio Evropa e Lirë
Për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se grafika me përqindjen e përkatësisë fetare në Kosovë është e vjetër, hibrid.info ka gjetur të dhënat paraprake të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovë (ASK) nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2024.
Kjo agjenci nuk ka publikuar të dhëna lidhur me përqindjen e përkatësisë fetare. (shih këtu)
Analiza:
Është publikuar dje (22 shtator) një grafikë me të dhëna në përqindje për përkatësinë fetare në Kosovë, duke mos sqaruar se e njëjta është e vjetër.
Hibrid.info ka vërtetuar se kjo grafikë është e publikuar në vitin 2017 nga Radio Evropa e Lirë.
ASK-ja në të dhënat paraprake nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2024 nuk ka publikuar të dhëna në lidhje me përkatësinë fetare në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.