Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një fotografi që shfaq portretin e Donald Trump, presidentit të zgjedhur të ShBA-së, me një kapelë të vendosur që ka mbishkrimin “KOSOVA” dhe me mbishkrimin që pretendon se ai është deklaruar se: Populli Amerikan do të jetë përkrah shtetit të Kosovës, do ta bëjmë të pamundurën që ti lirojmë sa më shpejtë udhëheqësit e UÇK-së.
Kjo përmbajtje është publikuar sot (11 dhjetor) në Facebook nga një faqe me emrin “Imazhe nga Kosova”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se fotografia në fjalë është përmbajtje e gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA) dhe se deklarimi i pretenduar nuk ka ardhur nga Trump.

Hibrid.info ka kontrolluar përmes “HiveModeration.com”, platformë për detektimin e përmbajtjeve të gjeneruara nga IA, në bazë të vlerësimit të së cilës, mund të konstatohet se fotografia e trajtuar, është përmbajtje e gjeneruar nga IA.

Hibrid.info po ashtu ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit “Google” për deklaratën e pretenduar, ku nuk është gjetur asnjë burim kredibil që e konfirmon atë, përveç deklaratave së fundmi ku ai shprehet kundër Jack Smith, ish-prokurorit të specializuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, Holandë, i cili mori detyrën në shtator të vitit 2018 për të hetuar krimet e dyshuara të luftës në Kosovë.
Trump në një intervistë me Kristen Welker të NBC News, të publikuar më 9 dhjetor deklaroi se “I çmenduri Jack Smith po kthehet në Hagë ku mund të ‘dënojë’ njerëzit”.
Analiza:
Fotografia e Donald Trump me kapelën që bart mbishkrimin “Kosova” është e gjeneruar me IA.
Ndërsa deklarata e pretenduar se do ta bëhet e pamundura që të lirohen sa më shpejtë udhëheqësit e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë, është e rreme.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë” dhe “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.