Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar imazhi i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Mërgim Lushtakut, ku mbrapa tij, duken të vendosura fotografitë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, gjatë momenteve të shkëmbimeve verbale afër liderëve serb, Aleksandër Vuçiq dhe Ivica Daçiq, ndërsa njëra nga fotografitë, tregon momentin e takimit të Thaçit, me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ky imazh është publikuar dje (28 maj), në TikTok nga llogaria “fatmir764”.
Si është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se në imazhin e publikuar në TikTok, ka ndërhyrje, të cilat në bazë të komenteve në këtë përmbajtje, mund të ndikojnë që pamja e shfaqur të merret si e vërtetë.
Vegëza e imazhit të publikuar në TikTok nga llogaria “fatmir764”:
https://archive.is/b3YoY

Pas verifikimit me anë të programit të automatizuar të kërkimit, “InVID”, hibrid.info ka gjetur fotografinë autentike të, deputetit Lushtaku (shih këtu).
Ndryshe nga duket në imazhin e publikuar në TikTok, në imazhin autentik vërehet se në fotografitë e vendosura prapa Lushtakut, duken imazhet e komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe portreti i ish-kryekuvendarit të Kosovës, Kadri Veseli.

Hibrid.info ka gjetur se të njëjtin imazh, deputeti Lushtaku e ka të vendosur si fotografi profili në llogarinë e tij në, rrjetin social “X” (ish-Twitter) (shih këtu).
Analiza:
Imazhi i deputetit, Mergim Lushtaku, ku në sfond tregohen të vendosura fotografitë e ish-presidentit Hashim Thaçi, gjatë takimeve me liderë serb dhe me presidentin rus, Vladimir Putin, është i manipuluar.
Në imazhin autentik është gjetur se mbrapa Lushtakut, janë të vendosura portretet e komandantit, Adem Jashari dhe të ish-liderëve të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.