Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një përmbajtje që pretendon se Bashkimi Evropian (BE) ka publikuar një raport për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, për të cilin përgjegjës e bën shtetin serb.
Pretendimi është publikuar me datë 3 qershor, nëpërmjet një video-materiali nga televizioni me përmbajtje në gjuhën shqipe, “A2 CNN”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka vërtetuar se BE-ja ende nuk ka dalë me një raport zyrtar të hetimeve, së paku jo publik, rreth asaj që ndodhi në shtator të vitit të kaluar në Banjskë.
Vegëza e video-materialit të publikuar nga televizioni “A2 CNN” në Youtube:
Kjo video e titulluar “Raporti i BE për sigurinë: Banjska dhe çdo incident tjetër në veri është frut i shtetit serb” e publikuar në kanalin zyrtar të “A2 CNN” në Youtube, pasqyron edicionin e lajmeve që i kushtohet Kosovës në këtë televizion.
Në storjen e publikuar në këtë edicion, pretendimi bazohet në një publikim të Institutit të Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë (EUISS), që është një agjenci e BE-së, publikim të cilit në storjen e përgatitur i referohen si raport i BE-së (shih këtu).
Sipas asaj që thuhet në këtë publikim, grupi terrorist që kreu sulmin në Banjskë është i lidhur me shtetin serb, ndërsa e gjithë përgjegjësia mbi incidentet e ndodhura, kryesisht në veri të Kosovës, bie mbi serbët.
Edhe një artikull tjetër i publikuar nga portali i këtij televizioni, lë të nënkuptojë se publikimi, nga i cili janë bazuar për këtë pretendim, paraqet një raport të BE-së (shih këtu).
Hibrid.info ka kontrolluar ueb-faqen e këtij instituti dhe ka gjetur publikimin në fjalë (shih këtu).
Pas verifikimit të përmbajtjes së këtij publikimi, është konfirmuar se artikulli përmban informatat e pretenduara nga televizioni “A2 CNN”.
Por, në publikimin me autorë Ilir Deda dhe Bojana Zoriq, tregohet se artikulli në fjalë paraqet një “brief” (në gjuhën shqipe, përmbledhje).
Sipas definicionit të publikuar në këtë institut, këto përmbledhje shkruhen me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për sfidat ekzistuese dhe ato në zhvillim të politikës së jashtme dhe të sigurisë me të cilat përballet Bashkimi Evropian (shih këtu).
Ndërsa si raporte, EUISS i vlerëson botimet, që zakonisht paraqesin rezultatet e projekteve të mëdha kërkimore bashkëpunuese ose studime individuale për palët e treta, që përmbajnë analiza të thella të çështjeve kyçe të sigurisë dhe mbrojtjes si nga analistë ashtu edhe nga ekspertë të jashtëm të Institutit (shih këtu).
Një tjetër dëshmi që provon se artikulli në fjalë nuk paraqet një raport të BE-së ashtu siç pretendohet, është edhe fakti se të dy autorët e publikimit, në postimet e tyre në rrjetin social “X”, dokumentit në fjalë i referohen si përmbledhje dhe analizë (shih këtu dhe këtu).
Gjetjet e tjera nga hibrid.info tregojnë se Bashkimi Evropian ende nuk ka dalë me raport zyrtar të hetimeve mbi ngjarjen e ndodhur në Banjskë (shih këtu dhe këtu) edhe pse zv-kryeministri i vendit për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, kishte bërë të ditur se Kosova i ka dërguar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtar një raport prej 48 faqeve për agresionin në Banjskë (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se BE-ja ka publikuar një raport, në të cilin e bën përgjegjës shtetin serb për sulmin e ndodhur në Banjskë, është i pasaktë.
Hibrid.info ka gjetur se shkrimi nga i cili është bazuar pretendimi, nuk paraqet raport zyrtar të hetimeve nga BE. Ai publikim është përmbledhje dhe analizë me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për sfidat ekzistuese dhe ato në zhvillim të politikës së jashtme dhe të sigurisë me të cilat përballet Bashkimi Evropian.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.