[email protected]
Jo, Kurti nuk ka thënë “Për një shekull e gjysmë po punojmë në krijimin e Shqipërisë së madhe”
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs”, i afërt me pushtetin, ka publikuar një artikull sot me pretendimin se kryeministri Albin Kurti e pranoi qëllimin e tij për “Shqipërinë e madhe”. Artikulli mban titullin “KURTI PRANOI ATË QË E DINIM Për një shekull e gjysmë po punojmë në krijimin e Shqipërisë së madhe”.

Ky artikull i referohet fjalimit të djeshëm (10 qershor) të kryeministrit Kurti, në përvjetorin e 146 të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa citohet gabimisht të ketë thënë, “Jemi duke punuar për një shekull e gjysmë për të krijuar një Shqipëri të madhe”.

Pas verifikimit të fakteve nga Hibrid.info, ky citat i Kurtit nuk është gjetur në fjalimin e tij, i cili është publikuar i plotë në faqen zyrtare të Kryeministrisë. (këtu)


Vegëza e artikullit e publikuar në “Alo.rs”:

https://www.alo.rs/vesti/kim/917452/kurti-priznao-ono-sto-smo-znali-vec-vek-i-po-rade-na-stvaranju-velike-albanije/vest (archive)

Pjesë të artikullit të publikuar në “Alo.rs” të përkthyer në gjuhën shqipe:

“Jemi duke punuar për një shekull e gjysmë për të krijuar një Shqipëri të madhe, porositi Albin Kurti, kryeministër i shtetit të rremë të Kosovës, duke folur në një tubim në Prizren. Jo fjalë për fjalë me këto fjalë, por mesazhi i tij ishte pikërisht ai dhe më se i qartë për këdo që e kupton historinë dhe gjeopolitikën. Natyrisht, e dinim në këtë, megjithatë, nuk është keq që na e kujtoi dhe i siguroi edhe naivët e fundit që nuk e dinë (ose bëjnë sikur nuk e dinë) se qëllimi përfundimtar dhe i vërtetë i korpusit shqiptar në Ballkan është një shtet që do të përfshinte territorin e Shqipërisë, krahinën tonë jugore të Kosovës dhe Metohisë, një pjesë të madhe të Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Malit të Zi”, shkruan “Alo.rs” në hyrje të artikullit.


Mirëpo, duke u bazuar në fjalimin e kryeministrit Kurti të mbajtur në Prizren në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, konstatohet se mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” citon deklaratë të pathënë të Kurtit. (këtu)

Çka tha Kurti në Prizren?

Kurti në fjalimin e djeshëm të mbajtur në Prizren në asnjë rast nuk e ka përmendur termin “Shqipëri e madhe”.

Në fjalimin e tij, Kurti përmend aspektin historik dhe rolin e Lidhjes së Prizrenit në unifikimin e shqiptarëve në atë kohë, si dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, teksa thotë: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit ndër dekada e ndër vite, ka vazhduar të na frymëzojë në përpjekjet e popullit shqiptar për pavarësi dhe shtet-formim. E ky Kompleks ka qenë vendtakim e simbol për kombin shqiptar, duke dëftuar rrënjët e lindjes së shtetit shqiptar dhe intencën historike për bashkim kombëtar”.

“Kjo ngjarje historike, ka qenë gur themel i përpjekjeve tona për pavarësi, e cila më pas u kurorëzua me datat e 28 Nëntorit të vitit 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e 96 vjet më pas, me 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësinë e Kosovës, duke e realizuar kësisoj një pjesë të programit të Lidhjes, që nuk u arrit të plotësohet në vitin 1912”.

Në fund, Kurti cek aspiratat e shqiptarëve drejt Bashkimit Evropian duke i avancuar vlerat e demokracisë drejtësisë dhe barazisë në shtetet e tyre. (këtu)

Ne duhet të vazhdojmë me përkushtim, bashkëpunimin e ngushtë për avancimin e vlerave të demokracisë, drejtësisë e të barazisë në vendet tona e shtetet tona. Duhet të vazhdojmë punën pa kusht, drejt integrimit së bashku të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Aleancën Veriatlantike e në Bashkimin Evropian, si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve dhe e kombeve fqinje me ne. Idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit le të na frymëzojnë sot në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt avancimit të interesave të përbashkëta e forcimit politik e ushtarak, ekonomik e kulturor të shteteve tona”.

Narrativi i “Shqipërisë së madhe” shfaqet në mediat në gjuhën serbe zakonisht kur zhvillohen ngjarje e festa të caktuara që lidhen me kombin shqiptar. (shih këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Në median “Alo.rs” në gjuhën serbe u pretendua se kryeministri Albin Kurti, në fjalimin e tij në përvjetorin e 146 të Lidhjes së Prizrenit, që u mbajt dje, ka thënë, “jemi duke punuar për një shekull e gjysmë për të krijuar një Shqipëri të madhe”, e që sipas këtij mediumi, ai ka shprehur kështu aspiratat për “Shqipërinë e madhe”.

Pas verifikimit të fakteve, Kurti në fjalimin e mbajtur në Prizren në asnjë rast nuk e ka përmendur termin “Shqipëri e madhe”.

Bazuar në metodologjinë e punës së hibrid.info, këto pretendime bien në kategorinë “Teori konspirative”.


Teoritë konspirative

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtjeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »