info@hibrid.info
Jo, nuk është anuluar ardhja e raketave “Javelin” në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“Anulohen raketat ‘Javelin’ per Kosoven/ Ejup Macedonci tregon se çfare po ndodh me ato”, mban titullin një artikull i publikuar sot (28 tetor).

Publikimi u bë nga portali në gjuhën shqipe “ntv.al”.

E vërteta?

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, mund të konstatohet se blerja e raketave “Javelin” nga Kosova – nuk është anuluar. Një informatë e tillë madje nuk është dhënë as në vetë përmbajtjen e artikullit.

Artikulli nis me fjalët që ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se raketat “Javelin” nuk do të arrijnë sivjet në Kosovë, por nga viti i ardhshëm. Në asnjë pjesë nuk përmendet çështja e anulimit të blerjes. Madje Maqedonci në tekst citohet të ketë thënë se në mars është bërë pagesa e parë dhe e dyta do të bëhet deri në fund të vitit aktual. 


Çka ka thënë ministri Maqedonci?

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se raketat antitank “Javelin” të cilat janë porositur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të mbërrijnë sivjet, por nga viti i ardhshëm (2025) e tutje. Ai nuk ka përmendur fare “anulimin” siç pretendohet nga titulli i “ntv.al”.

Deklarata e Maqedoncit është marrë nga intervista e tij te emisioni “Dpt te Fidani” më 25 tetor kur është pyetur nëse ka gjasa që sivjet “Javelinët” të mbërrijnë në Kosovë:

“Jemi duke vazhduar aspektin e përmbushjes së detyrimeve që dalin nga kontrata për ‘Javelin’. Kemi ekzekutuar pagesën e parë në muajin mars të këtij viti. Deri në fund të këtij viti, do ta ekzekutojmë edhe këstin e dytë për blerjen e sistemeve ‘Javelin’. Gjithashtu, jemi në diskutime për ardhjen e sistemeve ‘Javelin’ në Kosovë në kohën e duhur. Edhe tash së fundmi kur ishte në vizitë gjeneral Jashari, komandanti i FSK-së, pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ngritur çështjen e furnizimeve me  sistemeve ‘Javelin’. Normalisht që këtij viti i kanë mbetur edhe përafërsisht dy muaj dhe nuk besoj që do t’i kemi gjatë kësaj periudhe dymujore. Mirëpo do t’i kemi shumë shpejt”.

Tutje në këtë intervistë, ministri ka thënë se s’mund të thotë se armët saktësisht do të mbërrijnë në vitin e ardhshëm “por prej vitit 2025 e tutje gjithsesi do ta kemi”.


Kuptimi i fjalës “anuloj”:

I heq fuqinë një ligji, vendimi, urdhri etj, shfuqizoj; e kthej mbrapsht, e tërheq, nuk e lejoj të bëhet. Anulon një ligj (një vendim). Anuloj mbledhjen (ndeshjen, vizitën). Anuloi një marrëveshje. (fjale.al)


Hibrid.info ka kërkuar edhe në makinën online të kërkimit “google” për ndonjë artikull në ndonjë medium kredibil nëse është anuluar blerja e armëve të tilla nga Kosova.


Më 11 janar 2024 ishte konfirmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke “Javelin”.


Analiza:

Portali në gjuhën shqipe “ntv.al” ka publikuar një artikull me titull “Anulohen raketat ‘Javelin’ per Kosoven/ Ejup Macedonci tregon se çfare po ndodh me ato”.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se nuk ka anulim të blerjes së raketave “Javelin”. Pos që s’është gjetur ndonjë artikull me burim kredibil për anulim, siç u pretendua, këtë nuk e ka thënë as ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në përmbajtjen e vetë artikullit.

Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë titull si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »