Pushtimi rus i Ukrainës ka bërë që video dhe fotografi të rreme ose mashtruese të postohen në mediat sociale duke pretenduar se janë nga konflikti.
Disa nga ato të kontrolluara nga BBC përfshijnë pamje nga konfliktet e mëparshme në Ukrainë apo gjetkë në botë, dhe imazhe të trupave në stërvitje.
Platformat e mediave sociale si Twitter duket se po marrin një rol proaktiv në përballjen me përmbajtjen mashtruese, duke hequr disa video që tregohen si mashtruese nga kontrolluesit e fakteve dhe studiuesit.
Avionë fantazmë
Në orët e para të Invadimit ushtarak rus në Ukrainë, disa video që pretendonin se ishin forcat ajrore ruse që vepronin mbi Ukrainë u postuan dhe u bënë virale në mediat sociale.
Një klip, i cili më pas është fshirë, tregon një avion luftarak duke fluturuar mbi një zonë urbane. Ajo shoqërohet me një mbishkrim që nënkupton se është filmuar në konfliktin aktual të Ukrainës.
Inspektimi më i afërt, megjithatë, zbulon se avioni është një “F-16 Fighting Falcon” i prodhuar nga Amerika, dhe një lloj ti tillë i luftarakes nuk ka qenë kurrë në shërbim në territorin e Rusisë e as Ukrainës.
Një video e dytë tregon formacione luftarakë dhe bombardues që fluturojnë mbi një zonë urbane nën tingujt e sirenave të sulmit ajror.
Kontrollet e bëra nga BBC zbuluan se pamjet tregonin përgatitjet për një paradë ushtarake në vitin 2020. Tingulli i një sirene sulmi ajror ishte dubluar mbi audion origjinale.
Një tjetër videoklip pretendon se tregon parashutistët rusë që zbarkojnë pranë qytetit ukrainas të Kharkiv.
Është parë qindra mijëra herë në Twitter, por në fakt u shfaq për herë të parë në internetin në gjuhën ruse në vitin 2016.
Një video e katërt e shpërndarë gjerësisht në Twitter dhe YouTube është etiketuar se tregon një avion rus duke u rrëzuar mbi Ukrainë.
Megjithatë, gazetarët e BBC-së e kanë parë këtë pamje më parë. Është një aeroplan i qeverisë libiane që u rrëzua nga rebelët mbi Bengazi në vitin 2011.
Zërat në video mund të dëgjohen duke festuar në arabisht.
Disa imazhe nuk tregojnë fare operacione luftarake.
Pamjet e një shpërthimi pas disa blloqeve të apartamenteve pretendohet se janë nga qyteti i Mariupolit në Ukrainën juglindore.
Mes atyre që shpërndajnë klipin është edhe llogaria në Twitter e ish-ambasadorit të Ukrainës në SHBA, Volodymyr Yelchenko.
Megjithatë, një version i kësaj videoje u ngarkua në TikTok më 29 janar, në një llogari që poston rregullisht imazhe dhe video me shpërthime.
Më tej, siç shkruan në mbishkrimi i videos në rusisht, ajo tregon rezultatin e një goditje rrufeje në një termocentral, dhe jo ndonjë veprim ushtarak.
Përdoruesit kanë vënë në dyshim edhe gjelbërimin në pemë, me të dhënat e disponueshme që tregojnë temperaturat mesatare të shkurtit në Mariupol në rreth zero Celsius.
Disa përdorues të mediave sociale kanë shpërndarë një imazh që pretendohet të jetë i trupave ruse duke ngritur një flamur në ndërtesën komunale në qytetin ukrainas të Kharkiv sot.
Ndërsa mbishkrimi është i saktë – tregon rusët duke ngritur flamurin në atë ndërtesë në Kharkiv – mjetet e kërkimit të imazhit të kundërt tregojnë se ngjarja ka ndodhur në vitin 2014, gjatë një periudhe më të hershme trazirash.
Dhe e fundit, një video e shpërndarë nga një llogari në Twitter në gjuhën kineze, me mbishkrimin “Putini i Madh ka sulmuar Ukrainën” njihet lehtësisht si shpërthimi i një ndërtese porti në Bejrut në gusht 2020, i cili shkaktoi më shumë se 200 vdekje.