info@hibrid.info
Kosovo Online dhe Qeveria Serbe: Një aleancë dezinformatash
shape
shape
shape

Autorë: Gentiana Paçarizi & Uran Haxha

Dezinformimi që vjen prej qeverisë së Serbisë rreth Kosovës është bërë i rregullt dhe narrativat pothuajse të njëjta riciklohen. Që nga janari i këtij viti, narrativa për dëbimin e qytetarëve serbë nga Kosova është rikthyer. Në fillim të shkurtit, hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që vendoste valutën euro si të vetmen valutë me të cilën mund të bëheshin transaksionet në para të gatshme. Kjo bëri që një makineri e tërë prej të parit të qeverisë serbe, Aleksandar Vucic, ta ushqejë narrativën se qëllimi i qeverisë së Kosovës është përkeqësimi i kushteve të qytetarëve serbë në vend dhe përfundimisht dëbimi i tyre.

Këtë narrativë e furnizoi vazhdimisht Zyra për Kosovë dhe Metohi në qeverinë serbe, në krye me Petar Petkovic. Për muaj më radhë kjo Zyre lëshon komunikata duke ngjyrosur incidentet që ndodhin në komunat me shumicë serbe si të motivuara etnikisht.

Këto komunikata janë demantuar në vazhdimësi nga kontrollues faktesh në Kosovë, e nga policia e vendit. Por teksa këto kanale dezinformimi janë trajtuar shumëherë nga gazetarë e kontrollues faktesh në Kosovë e në rajon, një tjetër burim dezinformimi është trajtuar më pak, megjithëse është si një “sekret publik” në mesin e gazetarëve e figurave publike në Kosovë. “Kosovo Online”, është një medium që mbulon zhvillimet në Kosovë, Serbi dhe në veçanti komunat me shumicë serbe në Kosovë. Përmbajtja e “Kosovo Online” publikohet pothuajse në tri gjuhë, kryesisht në gjuhën serbe, por disa artikuj përkthehen në gjuhën shqipe e disa në atë angleze.

Ndonëse thirret në gazetari profesionale, ky medium që nga pronësia, përbërja e redaksisë e deri te përmbajtja e artikujve, intervistave dhe karikaturave, shpërndan dezinformata rreth Kosovës, mbështet narrativat dezinformuese të qeverisë serbe dhe shfaq haptazi lidhjet e afërta me qeverinë e Serbisë.

Pronësia e “Kosovo Online”

Sipas Media Ownership Monitor për Kosovë 2023, “Kosovo Online” është një nga pesë mediet e dala në treg në pesë vitet e fundit. Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, biznesi nën të cilin figuron “Kosovo Online”, “VIM INFO” D.O.O., është regjistruar më 26 korrik 2019, në Zveçan.

Biznesi është në pronësi të Dushan Milanoviqit, themelues dhe drejtor. Një biznes me emërim të njëjtë, sipas MOM është regjistruar edhe në Serbi. Në regjistrat e bizneseve në Serbi, ky biznes është në pronësi të “AVALA MEDIA GROUP DOO BEOGRAD”, pronar i së cilës është Ivan Jaksic. Jaksic është gjithashtu drejtor dhe kryeredaktor i portalit Kosovo-Online.

Gjatë periudhës 2014 deri në 2022, Jaksic ka shërbyer si këshilltar për Komunikim me Publikun (PR) për drejtorin e Zyrës për Kosovë dhe Metohi në Qeveri të Serbisë. Prej vitit 2020 deri në vitin 2022, Jaksic ka qenë këshilltar i veçantë edhe për ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selaković.

Ndërkohë, koordinator i “Kosovo Online” për katër komunat serbe në Kosovë është Ivica Simiq, vëllai i Igor Simiq, ish-nënkryetarit të Listës Serbe.

Sipas uebfaqes së “Kosovo Online”, redaksia e tyre përbëhet prej një stafi prej 17 personash, ku disa janë të shpërndarë në Tiranë, Beograd, Shkup, Shtërpcë e Graçanicë. Sipas uebfaqes, aktualisht kanë korrespondentë në Graçanicë, Shtërpcë dhe Beograd, korrespondentë në Shkup, Tiranë, Vjenë dhe Bruksel, si dhe bashkëpunëtorë me honorarë në mbarë Kosovën dhe rajonin.

Ndonëse i regjistruar në Kosovë dhe me operim në gjuhën shqipe, “Kosovo Online” nuk është i anëtarësuar në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).

Sipas kryetarit të KMShK, Imer Mushkolaj, transparenca që ky medium tregon — publikimi i impresumit — tregon se njerëzit prapa këtij mediumi e kanë të qartë qëllimin e tyre. Sipas Mushkolajt, ndonëse transparenca e rritë sipërfaqësisht kredibilitetin te lexuesit potencialë, meqë lexuesit s’kanë pse dyshojnë meqë nuk është ndonjë uebfaqe apo link i dyshimtë.

“Thjesht, ata po thonë: ‘Qe na ku jemi, na jemi këta njerëz, beso në ne’, po kur hyn pastaj edhe e këqyrë backgroundin e njerëzve që punojnë aty dhe mënyrën se qysh ata funksionojnë, atëherë del diçka tjetër”, thotë ai. Mushkolaj shton se mediet lokale serbe në Kosovë e konsiderojnë “”Kosovo Online”” si “medie shtetërore të Serbisë”, dhe janë të shqetësuara me fuqinë që e ka dhe mund ta fitojë në të ardhmen te komuniteti lokal serb.

Përmbajtja kontraversiale e “Kosovo Online”

Vendimi i “Kosovo Online” për të publikuar edhe në gjuhën shqipe dhe atë angleze flet për qëllimin e njerëzve prapa tij, thotë Mushkolaj.

“Vetë ideja që ata përkthejnë materialin e gjuhës shqipe nënkupton që qëllimin e kanë pasë t’i afrohen publikut shqiptar, për shkak se sa për publikun serb në Kosovë ka media të tjera, të cilët s’kanë nevojë ta lexojnë Kosova Online-in, por e shohin RTS-in, PINK-un, ose këto media që janë në Beograd dhe që vazhdojnë të kenë ndikim”, thotë ai. “Nëpërmjet gjuhës shqipe, ata provojnë me gjetë terren sa më shumë që të ndërhyjnë edhe te qytetarët shqiptarë”.

Mushkolaj tërheq vëmendjen pikërisht te mediet në Kosovë, që të mos i ripublikojnë artikujt e “Kosovo Online” pa e analizuar dhe kontrolluar përmbajtjen e tyre meqë, sipas tij, janë shumë problematike.

“Ato duken shumë okej [në shikim të parë], mirëpo kur hyn pak më thellë ti e sheh madje edhe zbulon edhe qëllimin pse është bo ai shkrim edhe qëllimet që ka synim t’i arrijë”, thotë ai.

Qëndrimet editoriale “Kosovo Online” i shfaq më së drejtpërdrejti tek disa kategori të uebfaqes. Për shembull, në kategorinë “Analizë” dhe “Kontekst”, mediumi në fjalë trajton çështje të ndryshme rreth Kosovës dhe Serbisë, po jo vetëm. Aty gjenden edhe analiza rreth ngjarjeve rajonale.

Përmes analizës së disa artikujve në këtë kategori, vihet re anshmëria dhe përputhja e politikës redaktoriale me narrativat e qeverisë serbe. Për më shumë, pothuajse të gjithë artikujt analitikë synojnë të ofrojnë një baraspeshë “të rreme” pasi kundrejt analistëve dhe ekspertëve serbë, intervistohen edhe ekspertë shqiptarë të Kosovës. Por, ballafaqimi i dy palëve në artikull duket i sforcuar.

Për shembull, në një artikull të 13 shkurt 2024, ku analizohet tre-vjetori i qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, “Kosovo Online” shkruan se gjatë këtyre tri viteve, jeta e komunitetit serb në Kosovë është vështirësuar si asnjëherë më parë. Artikulli i referohet të dhënave të Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, sipas të cilave prej vitit 2021, kanë ndodhur 500 incidente të motivuara etnikisht ndaj serbëve të Kosovës.

Shifrat për dhunën ndaj serbëve të Kosovës janë demantuar edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kurti ka thënë se kjo është propagandë nga qeveria e Serbisë.

Në artikull, intervistohet Predrag Rajić, të cilit artikulli i referohet vetëm si “nga Qendra për Stabilitet Shoqëror”, duke mos e përmendur ndërlidhjen që Rajić e ka me qeverinë serbe. Rajić ka qenë deputet i parlamentit serb si pjesë e Partisë Progresive të Serbisë të presidentit serb, Aleksandar Vucic, gjatë periudhës 2020 – 2022, ka shërbyer si këshilltar special i ish-ministrit të punëve të brendshme, Milos Vučević teksa prej qershorit 2024 është emëruar këshilltar për politikën e brendshme për Vučević pasi ky i fundit e mori pozitën e kryeministrit të Serbisë.

Rajić, në artikull, përsërit se këto tri vjet u karakterizuan nga “egërsia dhe shtysa e Kurtit që kufizohej me disa nxitje patologjike për të dëbuar të gjithë serbët nga Kosova dhe Metohija, për të shkaktuar një luftë midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe Metohi, si rezultat një luftë midis serbëve dhe shqiptarëve në përgjithësi në Ballkani dhe më në fund një luftë mes serbëve dhe NATO-s”.

Sipas tij, Kurti ka treguar rezistencë ndaj disa kritikave nga Perëndimi për shkak të veprimeve të tij dhe “është absolutisht e qartë se kemi të bëjmë me një fanatik që po përpiqet të paraqesë atë që ai i ka dhënë vetes si një rol mesianik sepse ai dëshiron të bashkojë atë që ai e konsideron tokat shqiptare, për të hyrë në histori si dikush që krijoi ‘Shqipërinë e madhe’ dhe që të jetë udhëheqësi i parë i të gjithë shqiptarëve dhe që kryeqyteti i asaj Shqipërie të madhe të jetë Prishtina dhe jo Tirana”.

Qëndrime e Rajić, i cili vazhdimisht shërben si njohës i çështjeve për “Kosovo Online”,  janë qëndrime që janë përsëritur në vazhdimësi nga qeveria e Serbisë.

Ndërkaq, krahas një ish-deputeti dhe një këshilltari qeveritar në Serbi, për ta balancuar artikullin, “Kosovo Online” interviston kryetarin e Aleancës së Bizneseve të Kosovës, Agim Shahini, që nuk ka ndonjë ekspertizë për shembull në çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Përveç paraqitjes gjysmake të fakteve rreth ndodhive më të vona në Kosovë, ky medium në vazhdimësi bart narrativën kundër perëndimit dhe intervenimit të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, njëjtë si qeveria e Serbisë që e quan “agresion ndaj ish-Jugosllavisë”.

26 maj, në një artikull analitik që shënonte 25-vjetorin e betejës së Pashtrikut, që filloi me 26 maj 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, thuhet se kjo betejë ishte përpjekja e dytë pas Koshares për një pushim tokësor të ish-Jugosllavisë. Aty, të intervistuarit, ish-gjeneralë të Armatës Jugosllave që komandonin ushtrinë kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, i referohen UÇK-së si ‘terroristë’ dhe e përdorin fjalën ‘šiptari” pa u korrigjuar nga redaksia e “Kosovo Online”.

Gjuha e përdorur nga të intervistuarit, të cilët janë shpesh nga qeveria e Serbisë ose persona që intervistohen në cilësinë e ekspertit, por kanë rrënjësisht qëndrime të një-anshme proserbe, është e mbushur me gjuhë urrejtje dhe racizëm ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Redaksia e “Kosovo Online”, përveçse e lejon këtë gjuhë në përmbajtjen e vet, ofron platformë edhe për trumbetimin e vlerësimeve që nuk bazohen në fakte, si për shembull kur veprimet e Kurtit ndaj serbëve të Kosovës quhen gjenocid pa pasur ndonjë fakt. Por në anën tjetër, mundëson mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, që është shpallur si i tillë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke promovuar zëra, përfshirë edhe atë të zëvendësdrejtorit të “Kosovo Online”, Miloš Garić, që janë kundër miratimi të rezolutës së OKB për shpalljen e 11 korrikut Ditë Ndërkombëtare në kujtim të gjenocidit në Srebrenicë.

Kështu, qëndrimi editorial përveçse vihet re në përzgjedhjen e të intervistuarve dhe argumenteve që theksohen, ai shfaqet edhe në artikujt të shkruar nga stafi i brendshëm.

Për shembull, në një artikull të 12 qershorit 2024, Miloš Garić, zëvendësdrejtor i “Kosovo Online” dhe redaktor i seksionit “Kontekst”, po e “kontekstualizonte” fjalimin e kryeministrit Kurti gjatë një vizite në Turqi, ku kishte takuar diasporen shqiptare. Kurti kishte thënë, ndër tjerash, se krahas përforcimit të mbrojtjes së Kosovës, në shkolla do të futej edhe lënda e Edukimit për Siguri. “Por gjithashtu po e bëjmë edhe mbrojtjen gjithpërfshirëse apo mbrojtjen totale ashtu që nëse na rrezikohet atdheu, vatani, atëherë secili qytetar do ta ketë rolin, funksionin e vet në mbrojtje e në siguri. Pra, mbrojtja gjithëpërfshirëse në njërën anë dhe edukimi për siguri nëpër shkolla në anën tjetër janë shumë të rëndësishme për vendin tonë dhe Qeveria jonë tashmë ka filluar me përpilimin e zbatimin e këtyre”, kishte deklaruar Kurti.

Artikulli i Garić që ngjan në një gjysmë “reported analysis”, ku edhe ofron opinione të tija dhe interviston disa tjerë, në një paragraf të vetëm e quan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) “terroristë dhe banda lokale”, e quan intervenimin e NATO agresion ndaj Serbisë, etj.

Teksa tenton ta kontekstualizojë se pse futja e një lënde të Edukimit për Siguri do të ishte e dëmshme, Garić pretendon se fëmijët në Kosovë rriten në një mjedis propagande anti-serbe që buron nga mediet, institucionet qeveritare, e programet shkollore. Pos kësaj, tenton ta kornizojë Kosovën si një vend ekstremistësh fetarë.

Një nga të intervistuarit thotë se Kosova “veçse është shoqëri e militarizuar” dhe se në bazë të disa vlerësimeve “ekzistojnë gjysmë milioni armë të gjata nëpër shtëpi në Kosovë”. Përderisa një i intervistuar tjetër thotë se me futjen e kësaj lënde, Kurti dëshiron t’i përgatisë gjeneratat e ardhshme për konceptin e “popullit të armatosur”. Asnjë nga këto pretendime të të intervistuarve nuk janë verifikuar nga autori e as janë dhënë fakte që i mbështesin këto argumente.

Ngjashëm me “Kosovo Online”, edhe Informer.rs kishte raportuar për të njëjtën deklaratë të Kurtit duke i dhënë hapësirë në ballinën e 12 qershorit titullit “Kurti po përgatit fëmijët në shkolla për një luftë të re me serbët në Kosovë!

“Kosovo Online” përfshihet edhe në mohimin e krimeve të Serbisë që janë të dokumentuara dhe mohimi i të cilave kritikohet edhe nga Bashkimi Evropian. Ngjashëm, si qeveria e Serbisë dhe mediet pro-qeveritare serbe që mohojnë masakrën e Reçakut të 16 janarit 1999, këtë fillimvit që shënoi 25-vjetorin e kësaj ngjarjeje, “Kosovo Online” intervistoi kryesisht personambajnë qëndrime se masakra e Reçakut ishte një “fabrikim” që ishte përdorur nga Perëndimi për ta nxitur intervenimin e NATO-s.

Në shkurt të vitit 2023, Rrjeti rajonal për Diversitetin në Medie “RDN”, e zgjodhi “Kosovo Online” si “troll of the month” për shkak të mohimit të Masakrës së Recakut.

“Gjatë përkujtimit të masakrës në Raçak në vitin 2023, William Walker mori pjesë si më parë. Portali online “Kosovo Online” përdori rastin për të përhapur qëndrimin e kryeredaktorit të tyre, i cili haptazi mohoi masakrën në Raçak. Në artikull, redaktori Miloš Garić deklaroi se kjo ishte një “falsifikim i historisë”, duke pretenduar se forcat serbe po luftonin kundër anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët synonin të “merrnin” Kosovën nga Serbia”, thuhej në arsyetimin e RDN që çdo muaj përzgjedh trollin e muajit.

Trolli i Muajit në Ballkan është një individ, një grup individësh ose një media që përhap urrejtje bazuar në gjini, etni, fe, ose kategori të tjera të diversitetit. Trolli i Ballkanit përzgjidhet bazuar në incidente të gjuhës së urrejtjes të identifikuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Propaganda perëndimore”, siç e quan “Kosovo Online” dhe të intervistuarit e përzgjedhur të këtij mediumi, trajtohet edhe në artikuj tjerë ku diskutohet edhe propaganda si mjet për intervenimin e NATO-s në Kosovë. Pjesë e kësaj propagande, sipas këtyre artikujve, ka qenë fabrikimi i krimeve të kryera nga ana e Serbisë në mënyrë që të arsyetohet intervenimi i NATO-s, përfshirë masakrën e Reçakut e përfshirjen e Arkanit në vrasjen e shqiptarëve. Ata këmbëngulin se në kohën e luftës, Perëndimi i kishte në krah të vetes të gjitha mediet dhe Serbia nuk pati kapacitete të përballet me atë makineri propagande.

Karikaturat dezinformuese

Qëndrimet editoriale të “Kosovo Online” shfaqen qartazi në kategorinë e Karikaturës, të cilat publikohen në baza të rregullta.

Në karikaturën e 19 prill të këtij viti, kur në Kosovë ende po diskutohej anëtarësimi potencial i vendit në Këshillin e Evropës, paraqiten dy shqiptarë — të cilët karakterizohen nga mediumi me plis të bardhë, kapele tradicionale e shqiptarëve. Dy personazhet shqiptarë mbajnë flamurin e Këshillit të Evropës dhe hidhen gëzueshëm lart. Por, poshtë këmbëve të tyre janë paraqitur dy serbë të shtrirë, etni të cilën mediumi e karakterizon me mbajtjen e kapelave tradicionale serbe, šajkaca. Sipër kokës së njërit serb janë vizatuar yje, që zakonisht përdoren kur goditet dikush, teksa serbi tjetër mban kokën me duar.

Karikatura mund të interpretohet si pjesë e narrativës serbe se përkundër përndjekjes së serbëve të Kosovës, Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi, po e shpërblen Kosovën.

Ndikimi i BE dhe ShBA tek Kosova, në përgjithësi, shfaqet përgjatë karikaturave. Për shembull, më 18 shkurt të vitit të kaluar, karikatura e publikuar tregon një bimë në një vazo me flamurin e Kosovës, që simbolizon Kosovën, e përshkruar si një bimë mishngrënëse kërcënuese. Një krah me mëngë me flamurin amerikan po e ujit bimën, duke sugjeruar se ShBA po mbështesin ose ushqejnë Kosovën. Pamja agresive e bimës nënkupton se kjo mbështetje po nxit diçka të rrezikshme ose kërcënuese. Imazhi reflekton një këndvështrim kritikues ndaj përfshirjes amerikane në Kosovë, duke sugjeruar se ndihma amerikane po kontribuon në një Kosovë “më të egër”.

Në një karikaturë tjetër të publikuar më 12 mars të këtij viti, tregohet një person që mban një xhaketë me flamurin e Kosovës dhe një plis. Një dorë, që ndoshta përfaqëson një ndikim të jashtëm, ofron një palë kufje me flamujt e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në secilën anë. Kjo imazh sugjeron se Kosova është e ndikuar ose e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Kufjet mund të simbolizojnë se si këto fuqi të jashtme formësojnë atë që Kosova dëgjon ose ndjek, duke reflektuar rolin e tyre të rëndësishëm në çështjet politike ose shoqërore të Kosovës.

Me 6 mars 2024, gjatë tri ditëve kur në Kosovë përvjetshëm kujtohet vrasja e komandatit të UÇK, Adem Jashari dhe familjes së tij mbi 50 anëtarëshe, nga forcat serbe në vitin 1998, “Kosovo Online” publikoi një karikaturë që kishte në qendër Adem Jasharin. Karikatura tregon një grumbull kafka dhe eshtrash, që simbolizojnë vdekjen dhe shkatërrimin, me një pllakë të shënuar “Adem Jashari 1955 – 1998.” Adem Jashari konsiderohet një hero nga shumë shqiptarë në Kosovë për rolin e tij në luftën kundër forcave serbe teksa në narrativën serbe konsiderohet si “shqiptar terrorist”. Përdorimi i kafkave dhe eshtrave në karikaturë nënkupton një vlerësim kritikues ndaj Jasharit, duke e paraqitur atë si përgjegjës për vdekjen dhe dhunën ndaj serbëve të Kosovës, pretendim që ishte përdorur edhe arsyetim për represionin e shqiptarëve gjatë viteve ‘90.

(Pa) përgjigje institucionale ndaj dezinformimit nga qeveria serbe

Mushkolaj vlerëson se përmbajtja e “Kosovo Online” si medium është jashtëzakonisht i rrezikshëm për sigurinë në Kosovë.

“Por, nëse e shohim përmbajtjen në gjuhën serbe, ajo është jashtëzakonisht problematike. Përmbajtja është në masë të madhe, në shumë raste nxitëse e gjuhës së urrejtjes karshi e shqiptarëve, jo vetëm me tekste, po edhe me karikatura edhe me opinione”, thotë ai. “Duket haptazi duket që ajo është një media e financuar nga qeveria e Serbisë, për interesat e Republikës së Serbisë që ka gjetë terren në në Kosovë, mendoj që ajo duhet me u përcjellë edhe prej organeve të sigurisë, si përmbajtje”.

Dezinformatat nga Serbia në tri vitet e fundit kanë qenë aq të shpeshta, sidomos ato që i kanë shërbyer narrativës së “përndjekjes”, “dëbimit”, e “pastrimit etnik” të serbëve të Kosovës, sa që disa herë vet Policia e Kosovës i ka demantuar. PK ka reaguar veçanërisht në rastet kur incidentet në komunat me shumicë serbe janë ngjyrosur etnikisht.

Autorët e artikullit i janë drejtuar Policisë së Kosovës me pyetje konkrete rreth kapaciteteve që i posedon departamenti i komunikimit për t’i demantuar dezinformatat që vijnë nga qeveria dhe mediet pro-qeveritare të Serbisë në rrafshin e sigurisë, nëse marrin trajnime për t’i trajtuar këto dezinformatat dhe si vendosin se kur duhet demantuar një dezinformatë, meqë nuk e bëjnë më mënyrë të rregulltë. Por, përgjigja e Policisë ka qenë gjenerike:

“Policia e Kosovës në raport me publikun dhe mediat është bashkëpunuese dhe ka qasje profesionale ku mundësohet komunikim i qartë reciprok, bazuar në autorizimet dhe kompetencat respektive. Policia po ashtu bashkëpunon me mediat, në mënyrë që publiku të informohet me kohë, në mënyrë korrekte dhe të drejtë mbi ngjarjet të cilat ndodhin në fushën e sigurisë në vend dhe aktivitetet policore. Policia e Kosovës në fushën e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun/mediat ka kapacitete të mjaftueshme si dhe zyrtarë adekuat dhe të trajnuar në fushën e komunikimit duke përfshirë dhe situatave të menaxhimit të dezinformimimt, ku në raste të caktuara për çështje që bien në domen të fushëveprimit policor PK-ja sqaron/demanton dezinformimin dhe keqinformimin e publikut”.

Në prill të këtij viti, për një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, zëvendësdrejtor për Policinë e Kosovës për Veriun e Kosovës, Veton Elshani, kishte deklaruar se gjatë gjithë përvojës së tij 24-vjeçare kurrë nuk ka hasur në më shumë dezinformata rreth veriut se sa tash.

Ai kishte thënë se Policia e Kosovës kishte vendosur ta lironte Banjskën ende pa e kryer verifikimin e plotë për sulmin e 24 shtatorit 2023 pikërisht për shkak të dezinformatave që bëheshin se qytetarët serbë “kanë mbetë brenda, nuk kanë ujë me pi”. Sipas tij, PK kishte vendosur ta hapte Banjskën për qarkullim në mënyrë që mediet të kishin qasje dhe ta shohin realitetin dhe si jetonin qytetarët serbë.

Pyetje të ngjashme rreth angazhimit të tyre drejt demantimit të dezinformatave që vijnë nga Serbia i janë drejtuar edhe qeverisë së Kosovës, veçanërisht rreth raportimit të mediave në vitin 2022 se do të caktonin zyrtarë të veçantë në ministri për t’i demantuar dezinformatat. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nuk dha përgjigje konkrete por tha se qeveria e Kosovës e ka parasysh situatën gjeopolitike aktuale dhe qasjen agresore të Serbisë, andaj ka intensifikuar përpjekjet dhe fuqizimin e strukturave të cilat luftojnë dezinformatat.

“Shumë lajme të pavërteta qarkullojnë në një pjesë të madhe të mediave serbe dhe në rrjetet e platforma online të ndryshme në Kosovë, andaj dhe nevoja për demantimin e tyre është i lartë. Në raste emergjente, ka patur dhe grupe punuese të posaçme brenda ministrive relevante të cilat kanë kryer detyra të monitorimit dhe demantimit të lajmeve të tilla. Ndërkohë që në vazhdimësi kemi bashkëpunim të rregullt me platformat vendore të llojit “Fact Check” siç është ajo e Kallxo.com/BIRN”.

Sipas Kryeziut, qeveria e Kosovës për më shumë se një vit, po bashkëpunon me ekipe të komunikimit nga qeveria britanike, me përkrahjen edhe të ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë. “Përmes këtij bashkëpunimi janë siguruar trajnime, programe, dhe praktika të ndryshme me të cilat janë njohur zyrtarë të komunikimit nga institucione të ndryshme, jo vetëm të qeverisë”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu kishte deklaruar në prill se në zyrat për komunikimin publik mungojnë ende kapacitetet që të luftohen dezinformatat.

Ndërkohë se sa të rrezikshme mund të jenë burimet e dezinformimit si “Kosovo Online” në nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes ndëretnike, tregojnë edhe raportet e fundit. Në mes-qershor, u lansua Indeksi i dytë i Cenueshmërisë ndaj Dezinformimit në Kosovë, në kuadër të Konferencës për Integritetin e Informacionit, DISICON 7, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) dhe USAID në Kosovë. Ky indeks mat pesë shtylla — mjedisin mediatik, peisazhin politik, përceptimin publik, marrëdhëniet ndëretnike dhe dezinformimi në baza gjinore — se sa të cenueshme janë ndaj dezinformatave dhe ndikimeve të huaja keqdashëse.

Në përgjithësi, cenueshmëria është 57 nga 100 pikë në total, apo 16 pikë më shumë se në vitin 2022. Sipas Indeksit, më të cënueshme janë marrëdhëniet ndëretnike, të cilat figurojnë në shkallën 69 nga 100. 

Artikulli u publikua së pari në: https://antidisinfo.net/sq/kosovo-online-dhe-qeveria-serbe-nje-aleance-dezinformatash/

Ky artikull u zhvillua në partneritet me nismën rajonale Western Balkans Anti-Disinformation Hub, që zbatohet nga Fondacioni “Metamorphosis”, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e partnerëve dhe mbështetësve të projektit.

Share With Others

Translate »