info@hibrid.info
Lajçak nuk ka thënë se “jam lodhur me spekulimet e mediave për draftet”
shape
shape
shape

Portali “Lecanton27.ch” i vetëquajtur si “gazeta e parë zvicerane në gjuhën shqipe” ka publikuar dje (23 tetor) një postim në faqen zyrtare në Facebook me pretendimin se emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se “Jam lodhur me propozimet (spekulimet) e mediave kosovare me  kto ‘drafte’, ‘dokumentet’ rreth marrëveshjes Kosovë-Serbi që s’kanë lidhje me BE-në”.

Hibrid.info, edhe pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit dhe rrjeteve sociale, nuk ka gjetur një deklaratë të tillë të bërë nga Lajçak lidhur me zhvillimet e fundit në fushën mediatike në Kosovë, lidhur me skenarët rreth marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Në këtë fotografi të postuar nga ky portal, shihet Lajçak së bashku me redaktorin e këtij mediumi online, Nefail Maliqi (këtu).

Se Maliqi është redaktor i këtij portali, kjo është gjetur në njërin nga postimet e tij në Facebook, që i referohen si “redaktor i gazetes zvicerane Le Canton27.ch”. (shih këtu)


Vegëza e postimit e publikuar në faqen e portalit “LeCanton27.ch” në Facebook:

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid029YJcXHrAwJDaa7kJyrvHhhtr8HTpJE2cBgK9iGDudTdqy9sTAfPED7bUn2bPfYKEl&id=100057128651896


Në postimin e bërë në këtë faqe në Facebook, pretendohet rrejshëm se Lajçak ka komentuar propozimet e fundit të publikuara në disa media në Kosovë rreth drafteve për Asociacionin me Shumicë serbe në Kosovë apo edhe të përmbajtjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi. (shih këtu dhe këtu)

Deklarata e fundit e Lajçak-ut lidhur me dialogun dhe zhvillimet politike e mediatike, ishte bërë gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

Miroslav Lajçak, të shtunën (22 tetor) kishte realizuar takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ku ishte diskutuar për mbarëvajtjen e procesit të dialogut, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zbatimin e plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale.

Për draftet që po qarkullojnë në media për Asociacionin, ai ka thënë se s’ka qenë i njoftuar më herët për to. Ka shtuar se drafti s’është kërkuar nga BE-ja dhe se Bashkimi Evropian e sheh vetëm si “një nga shumë letrat që prodhohen”. “Është diçka krejt e ndarë nga procesi ynë”, ka thënë Lajçak, raporton Koha.net. (shih këtu)

Pra, nuk është e vërtetë që Lajçak është shprehur se është “lodhur nga propozimet apo spekulimet e mediave kosovare lidhur me këto ‘drafte’”, siç pretendohet nga portali “LeCanton27.ch”.


Lidhur me këtë vizitë të Lajçakut në Kosovë, kishin raportuar edhe mediumet tjera online, në të cilat bëhet e ditur se emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ishte shprehur se u takon palëve të vendosin për marrëveshjen përfundimtare. (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Portali “Lecanton27.ch”, përmes një postimi në Facebook ka pretenduar se, Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur “i lodhur nga spekulimet e mediave për disa ‘drafte’ lidhur me marrëveshjen në mes këtyre dy shteteve”.

Mirërpo, një deklaratë e tillë e bërë nga Lajçak nuk është gjetur e publikuar nga asnjë burim kredibil.

Pas takimit të zhvilluar të shtunën (22 tetor) me Kurtin, ishte vetë Lajçak që kishte folur rreth këtyre drafteve që po qarkullojnë në media për Asociacionin. Ai është shprehur se s’ka qenë i njoftuar më herët për to, duke shtuar se “drafti s’është kërkuar nga BE-ja” dhe se “BE e sheh vetëm si ‘një nga shumë letrat që prodhohen’”.

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim të bërë nga “LeCanton27.ch” si “Lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »