[email protected]
Manipulimi me të dhëna për grurin
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një serie postimesh në rrjete sociale dhe deklaratash në media, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci, ka publikuar shifra për sasinë e grurit të prodhuar në Kosovë në vitin 2024 dhe mbulimin e nevojave për konsum për qytetarët e Kosovës.

“Kosova e siguron bukën e motmotit” (motmot – një vit) ka qenë kryefjala e postimeve të tij. “Të dhënat nga terreni tregojnë që fatbardhësisht, për herë të parë në historinë e Kosovës së pasluftës ne sigurojmë bukën e motmotit”, ishte deklarata e ministrit Peci, që u publikua përmes një video promovuese nga profili i tij në Facebook më 5 korrik. Kjo video u publikua, siç e thotë vetë ai, në fazën e parë të fushatës për korrje-shirje.

Kontekst dhe krahasim të deklaratave me të dhëna:

Ministri Faton Peci ka thënë se në tokën e Kosovës sivjet janë prodhuar së paku 300 mijë tonë grurë. Sipas tij, janë prodhuar 140-150 mijë tonë më shumë se vitin e shkuar e se me këto shifra nuk ka nevojë më për import. Ai ka deklaruar se edhe sipërfaqja e tokave të mbjella me grurë është rritur për 60 për qind.

Por të dhënat zyrtare e demantojnë ministrin në shumicën e këtyre deklaratave.

Cilat ishin deklaratat e ministrit Peci për sasinë e prodhuar?

Pas deklaratës për sigurimin e bukës së motmotit, ministri Peci në një deklaratë për Radion “KlanKosova FM”, publikuar në kanalin zyrtar në “YouTube” më 5 korrik, kishte thënë se “është me interes të ndahen disa të dhëna a statistika se si kemi ardhur te një konkluzion, ose parashikim i tillë, edhe pse nuk i kemi të gjitha të dhënat, dhe e presim përfundimin e fushatës së korrje-shirjeve, jo vetëm statistikat që i përkrah Ministria e Bujqësisë, por edhe raportet komunale”.

Një ditë pas, më 6 korrik, në një shkrim të postuar në faqen zyrtare të tij në Facebook, ministri Peci, ka thënë se Kosova ka siguruar bukën e motmotit e se “të dhënat nga të katër anët e vendit flasin për prodhim rekord”. “Së paku do ti kemi 300.000 tonë grurë të prodhuar”, është një nga pretendimet e tij në postimin e 6 korrikut.

Një ditë më vonë, (7 korrik) ministri ka thënë se sivjet toka e Kosovës po i prodhon minimalisht 140 mijë deri 150 mijë tonë grurë më shumë se vitin e kaluar. Në postim ministri ka thënë se posedojnë të dhëna të sakta për çdo hektar të mbjellë e se, siç u shpreh, në këtë llogaritje nuk përfshihen sipërfaqet nën 1 hektar që Ministria s’i subvencionon.

Edhe kryeministri Albin Kurti ka përmendur shifra të njëjta. “Nga korrje-shirjet sivjet, duket që prodhimi do të shtohet për 140 deri në 150 mijë tonë grurë, ndërkohë që më 2023 janë importuar 139 mijë tonë grurë. Pra, këtë vit, nuk do të ketë nevojë për import. Buka jonë, në sofrën tonë, nga toka jonë”, ka shkruar ai më 10 korrik në Facebook.

Ministria e Bujqësisë në një përgjigje për “gazetaexpress.com” në një artikull të publikuar më 11 korrik, ka thënë se “prodhimtaria e përgjithshme këtë vit pritet të jetë rreth 325,000 tonë grurë”. Kjo Ministri ka thënë se, për shifrat e sakta duhet të pritet përfundimi i plotë i korrje-shirjeve, pasi të dhënat i kanë vetëm për sipërfaqet që mbështeten me subvencione. Bazuar në numrin e aplikimeve për subvencione, Ministria ka thënë se me grurë janë mbjellë mbi 65 mijë hektarë. Në këtë artikull, Dogana e Kosovës ka konfirmuar se në vitin 2023, Kosova ka importuar rreth 140 mijë tonë grurë.

Çka thonë statistikat për sasinë e grurit?

Nga Ministria u tha se prodhimtaria e përgjithshme e grurit për sivjet (2024) pritet të jetë rreth 325 mijë tonë. Edhe në interpretim të të dhënave nga i njëjti institucion, kishte shpërputhje, pasi që ministri Peci e dha një shifër relativisht më të vogël – 300 mijë, pra 25 mijë më pak.

Megjithatë, përpos mospërputhjes në interpretim shifrash zyrtare, nga ky institucion duket se pati edhe çështje në aspekte më përmbajtësore. Peci deklaroi se sivjet (2024) janë prodhuar nga 140 deri në 150 mijë tonë më shumë se një vit më herët (2023). Mirëpo, nëse merren si të mirëqena këto shifra të publikuara, mund të nënkuptohet që Kosova në vitin 2023 ka prodhuar më pak se 200 mijë tonë grurë. Por që faktet e disponuara nga publikimet e mëhershme zyrtare, e demantojnë atë që e thotë ministri Peci.

Sipas Anketës së Ekonomive Bujqësore 2023 e publikuar në qershor sivjet (2024) në ueb-faqen zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2023 janë prodhuar 303 mijë e 496 tonë grurë. Edhe në bazë të Anketës së Ekonomive Bujqësore për vitin paraprak (2022), në Kosovë janë prodhuar më shumë se 330 mijë tonë grurë. Edhe Raporti i Gjelbër 2023, i publikuar në ue-faqen e ministrisë jep shifra të njëjta me ASK-në për vitin 2022.

Për më shumë, Hibrid.info ka gjetur raportin “Kultivimi i grurit dhe misrit në Kosovë 1939-2019” e MBP ZhR-së. Në bazë të të dhënave të marra nga ky dokument, del se ka pasur disa vite në të kaluarën në të cilat në Kosovë janë prodhuar dukshëm më shumë tonë grurë se 300-mijëshi i pretenduar sivjet. Në vitin 2013, ka pasur 392 mijë tonë të prodhuar. Në vitin 2016, 366 mijë e në vitin 2012 – 345 mijë tonë grurë.

Ndërsa “Raporti i Gjelbër 2023” tregon se më 2021 ka pasur 322 mijë tonë grurë të prodhuar e më 2020 – 341 mijë ton.

Cilat ishin deklaratat e ministrit Peci për sipërfaqen me grurë?

Në postimin në të cilin ministri Faton Peci u shpreh se “do të jenë së paku 300 mijë tonë grurë të prodhuar”, meritat për këtë ia dha edhe “rritjes së përkrahjes së subvencioneve me mbi 200 për qind” dhe “rritjes së sipërfaqeve të mbjella me grurë mbi 60 për qind”.

Në një deklaratë të bërë më 10 korrik, ministri i Bujqësisë është shprehur i bindur se janë mbuluar “krejt nevojat” e se “Kosova s’ka nevojë për import”. “Kosova për herë të parë, e kam thënë dhe po e ritheksoj dhe e argumentoj qysh të doni shkencërisht, që e ka mbuluar nevojën e bukës së motmotit. Për herë të parë në histori, kryeministër. Urime!”, i ka thënë Peci kryeministrit Kurti në vizitën në Malishevë, sipas videos së publikuar nga “EkonomiaOnline” më 10 korrik. Në këtë deklaratë, ministri ka folur edhe për rritje të sipërfaqeve të mbjella me grurë. “Vitin e kaluar kemi pasur 60 për qind rritje, tash kemi 63-64 për qind nga koha kur e kemi marrë mandatin e drejtimit të qeverisë”, ka thënë tutje ai.

Qeveria Kurti e ka marrë pushtetin në vitin 2021. Atë kohë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kanë qenë mbi 79 mijë hektarë tokë të mbjellë me grurë. Në vitin 2023, sipas Anketës Bujqësore 2023, kanë qenë të mbjella mbi 80 mijë hektarë tokë.

Statistika të pasakta ministri kishte ofruar edhe në vitet e kaluara. Më 11 korrik 2023, ministri i Bujqësisë në Facebook pati shkruar se nga të dhënat e disponueshme nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, “sipërfaqet e mbjella me grurë janë rritur nga 46.931 ha në 66.964 ha, respektivisht për 42.69%”.

Megjithatë, vetë Peci kishte ofruar shifra të tjera një vit më herët. Më 9 korrik të vitit 2022, në Facebook ai kishte thënë se po atë vit (2022) janë mbjellë mbi 66 mijë hektarë tokë me grurë. Të dhënat, sipas tij, ishin bazuar në raportin e aplikimeve për Programin e Pagesave Direkte të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Çka thonë statistikat për sipërfaqen e grurit?

Po që se krahasohen të dhënat e publikuara në dokumentet zyrtare,Raporti i Gjelbër 2023 dhe Anketa e Ekonomive Bujqësore 2023 nuk bëhet fjalë për rritje prej 60 për qind të sipërfaqes së mbjellë me grurë, që kur Qeveria Kurti erdhi në pushtet.

Në vitin 2023 kanë qenë mbi 80 mijë e 25 hektarë të mbjellë me grurë, ndërsa në vitin 2021 (kur drejtimin e mori Qeveria Kurti) ka qenë mbi 79 mijë e 970 hektarë.

Çka ka thënë ministri për nevojat për konsum dhe krahasimi me fakte

Sipas një deklarate të Ministrisë së Bujqësisë dhe ministrit Peci, nevojat konsumuese për kokë banori në Kosovë janë nga 140 deri 153 kilogramë grurë. “Vendi ynë konsumon mesatarisht 260.000 tonë grurë në vit!” kishte shkruar ai në postimin e 7 korrikut.

Ndërsa në Raportin e Gjelbër 2023 thuhet se në vitin 2022, konsumi mesatar për kokë banori për grurë duke përfshirë edhe produktet me përmbajtje gruri, ishte 213 kilogramë. Më 2021 thuhet se ka qenë 207 kilogramë.

Gruri është lënda e parë për prodhimin e miellit. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, të publikuara në “gazetaexpress.com”, del se në vitin 2023, Kosova ka importuar rreth 140 mijë tonë grurë. Sipas dokumentit të ofruar nga Dogana, deri në korrik 2024, në Kosovë janë importuar mbi 49 mijë tonë grurë. Raporti i Gjelbër 2023 jep të dhëna për import edhe për vitet e kaluara. Tabela tregon se furnizimi i përgjithshëm me grurë në Kosovë (prodhim dhe import) ka qenë mes 500 mijë dhe 480 mijë tonë në periudhën 2019-2022. Pra Kosova edhe pse ka prodhuar edhe mbi 300 mijë tonë grurë vet, nuk ka qenë e mjaftueshme për t’i përmbushur nevojat e veta.

Çka thotë profesori i bujqësisë Imer Rusinovci?

Profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci, ka thënë se pa përfunduar fushata e korrje-shirjeve nuk mund të flitet nëse Kosova ka siguruar bukën e motmotit. Ai ka thënë se prodhimi është më i mirë në raport me vitet e kaluara, por ka përsëritur se për të plotësuar nevojat ushqyese mbetet të shihet raporti përfundimtar.

“Është absurd i llojit të veçantë sepse me metodologji shkencore duhet t’i kesh të dhënat e sakta që t’i përfundosh. Prodhimi është më i mirë në raport me vitet e kaluara. Sa do të plotësohen nevojat tona ushqyese mbetet të shohim raportin përfundimtar”, ka thënë ai në një intervistë për “RTK”, sipas videos së publikuar në kanalin zyrtar në “YouTube” më 9 korrik. Duke marrë për bazë të dhënat e importit nga vitet e kaluara, ai ka thënë se Kosova është larg plotësimit të kërkesave të veta.

Rusinovci po ashtu ka thënë se duke marrë për bazë të dhënat zyrtare nuk pret që sivjet të ketë lëvizje të madhe krahasuar me prodhimin e viteve të kaluara.


Përfundimi:

Nëpërmjet disa deklaratash e postimesh, ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se Kosova ka përmbushur nevojat e veta për bukën e motmotit. Ai ka përmendur shifra e statistika, që pas verifikimit të fakteve, demantohen nga dokumente të Agjencisë së Statistikave dhe të vetë Ministrisë që Peci e udhëheq.

Përderisa ministri ka thënë se Kosova sivjet (2024) ka prodhuar 300 mijë tonë grurë dhe rreth 150 mijë më shumë se vitin e kaluar (2023), të dhënat zyrtare nga viti i kaluar nxjerrin kalkulime tjera. Sipas dokumenteve, edhe vitin e kaluar ishin prodhuar më shumë se 300 mijë tonë grurë.

Ai po ashtu ka thënë se sipërfaqja e mbjellë me grurë është rritur për 60 për qind prej marrjes së mandatit, por të dhënat e demantojnë edhe këtë. Më 2021 kur erdhi Peci në pushtet, në Kosovë ishin mbjellë rreth 80 mijë hektarë, aq sa ishin edhe vitin e shkuar.

Ministri ka thënë se sivjet s’ka nevojë për import të grurit. Por të dhënat tregojnë se Kosova në disa raste ka prodhuar më shumë grurë se pretendimi i ministrit për sivjet dhe se as atëherë nuk i ka përmbushur nevojat e veta për konsum dhe është varur nga importi.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi vërtetësinë, hibrid.info i vlerëson deklarimet e ministrit si të paqëndrueshme.

Arsyetimi:

Vlerësimi i qëndrueshmërisë jepet në bazë të një krahasimi në mes të pikëpamjeve aktuale dhe të deklaruara më parë publikisht të akterëve politikë. Nëse qëndrimet për një çështje nuk ndryshojnë gjatë angazhimit publik të personit të monitoruar, deklaratat e tilla vlerësohen si të qëndrueshme. Ndërsa nëse ka pasur një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimet, deklaratat e tilla vlerësohen si të paqëndrueshme.

Share With Others

Translate »