Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një fotografi që shfaq grafitin, “Vdekje për shqiptarët”, me mbishkrimin që pretendon se kanë filluar mbishkrimet nacionaliste nëpër qytetet me shumicë maqedonase në Maqedoninë e Veriut.
Postimi është publikuar dje (10 prill) nga një llogari në Facebook me emrin, “Lajme Nga Bota”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka verifikuar se fotografia që shoqëron pretendimin është e vjetër (2018) dhe aktualisht nuk ekzistojnë raportime të konfirmuara për ndodhinë e ngjarjes së pretenduar.

Hibrid.info me anë të programit të automatizuar të kërkimit, “InVID”, gjeti këtë fotografi në një artikull në mediumin, “Telegrafi.com”, me titull, “Një i mitur dhe një 19-vjeçar në polici për grafitin ‘Vdekje shqiptarëve’ në Manastir”, i publikuar para shtatë vitesh (shih këtu).
Çka do të thotë se kjo fotografi është e vjetër.
Ndërsa, pas hulumtimit në motorin e kërkimit, “Google”, nuk është hasur ndonjë raportim së fundmi, për ngjarjen e pretenduar në Maqedoninë e Veriut (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi për fillimin e grafiteve anti-shqiptare në Maqedoni të Veriut është i pasaktë.
Fotografia me anë të së cilës është dhënë pretendimi, është e vjetër. Gjithashtu, nuk ka raportime nga burime kredibile për pretendimin.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.