info@hibrid.info
Media serbe dezinformon se Ana Oxa ndërroi emrin për shkak të turpit nga origjina e saj shqiptare
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Artikulli me përmbajtje keqinformuese nga mediumi Mondo.rs u korrigjua pas trajtimit nga hibrid.info (shih artikullin e korrigjuar këtu)


Media në gjuhën serbe “Mondo.rs” ka publikuar një artikull më 10 dhjetor, ku pretendohet se këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare Anna Oxa, e lindur me emrin origjinal Anna Hoxha, ka ndryshuar emrin e saj për shkak të “turpit nga origjina e saj shqiptare”.

Artikulli mban titullin, “Këngëtarja e njohur u turpërua për origjinën e saj shqiptare: Nga turpi ndërroi emrin, dhe një biznesmen nga Kosova ia bëri jetën ferr”.

Megjithatë, Oxa në intervistën të cilës i referohet media në serbisht, nuk flet për origjinën e saj, rrjedhimisht e njëjta nuk e bazon pretendimin e bërë.

Çka thotë artikulli:

Duke iu referuar një interviste dhënë revistës “Ticino Welcome” në gusht 2023, mediumi në gjuhën serbe pretendon se Anna Oxa, emrin e ka ndryshuar për shkak të turpit nga origjina e saj shqiptare.

“Tashmë në moshën 15-vjeçare, ajo vendosi të bëhej këngëtare dhe mori emrin artistik Anna Oxa, për të depërtuar më lehtë në skenën muzikore italiane dhe për t’u distancuar nga origjina e saj shqiptare”.

“Një nga martesat më të spikatura ishte ajo me Behgjet Pacollin, miliarder dhe politikan nga Kosova, pasuria e të cilit llogaritet në 743 milionë dollarë. Marrëdhënia e tyre shkaktoi polemika, veçanërisht për shkak të pikëpamjeve politike të Pacollit dhe mbështetjes për organizatat proshqiptare. Megjithatë, martesa nuk zgjati, pasi Pacolli u shpreh se Ana ishte shumë xheloze dhe posesive”.

Origjina e Anna Oxës

Anna Oxa është një artiste me karrierë të gjatë, si në muzikë e aktrim, por edhe në prezantim televiziv, karrierë të cilën e ka zhvilluar në Itali. Artistja është me origjinë shqiptare, të cilën e ka përmendur në raste të ndryshme si pjesë të identitetit të saj kulturor.

Në një intervistë të dhënë për “Telegrafin” (1 janar, 2024), Anna Oxa ka bërë të ditur se ka lindur në Bari nga një nënë italiane dhe një baba shqiptar, i cili ishte refugjat politik, dhe vetëm si e rritur ka fituar nënshtetësinë italiane, duke jetuar më parë me statusin e refugjatit politik, rrjedhimisht duke jetuar si shqiptare.

Oxa, gjithashtu ka theksuar se shpesh është penalizuar dhe ngacmuar nga mediat dhe menaxherët për trashëgiminë e saj shqiptare, por ajo është krenare për dinjitetin e saj, duke deklaruar se ka jetuar si shqiptare pavarësisht se ka lindur në Itali.

Në një nga episodet e “Domenica In” më 17 dhjetor, 2023, emision ky që transmetohet në televizionin nacional publik italian RAI, Anna Oxa deklaroi përballë Mara Venier se është dhe gjithmonë ka qenë shqiptare, duke theksuar se jeta e saj intensive si e huaj në Itali ishte një pjesë e rëndësishme e përvojës së saj.


Analiza:

Media në gjuhën serbe “Mondo.rs” ka publikuar më 8 dhjetor një artikull, ku pretendohet se këngëtarja Anna Oxa ka ndryshuar emrin për shkak të “turpit nga origjina e saj shqiptare”. Ky medium i referohet një interviste të Annës dhënë për “Ticino Welcome” në gusht 2023.

Megjithatë, në intervistën e saj, Oxa nuk përmend këtë pretendim. Madje në artikull nuk përmendet në asnjë rast origjina e saj, përpos në një moment ku thuhet se Anna është si personi i tretë nga emrat më me ndikim në Shqipëri. Rrjedhimisht, media në serbisht nuk e mbështet deklaratën në prova.

Anna Oxa është një artiste me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme, e njohur për origjinën e saj shqiptare, që e ka përmendur shpesh në intervista dhe diskutime si pjesë të identitetit të saj kulturor.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social, mjaftueshëm për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »