info@hibrid.info
Mediat serbe i interpretojnë pa bazë raportimet në Kosovë si “mbështetje e Kurtit për protestuesit në Beograd”
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Nëpërmjet artikujve të publikuar të shtunën (15 mars), nga mediume në gjuhën serbe është pretenduar për “mbështetjen” që “Prishtina po ua ofron bllokuesve” në protestën e organizuar sot në Beograd.

Këta artikuj u publikuan në kohën e organizimit të protestës nga studentët serbë, që po kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave më 1 nëntor 2024, nga shembja e strehës së një stacioni hekurudhor në Novi-Sad.

Artikujt kanë pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i mbështet protestuesit. Këtë janë përpjekur ta ndërlidhin përmes raportimeve që po bëhen në Kosovë për protestën në Beograd.

E vërteta?

Artikujt e publikuar në “alo.rs”, “b92.net”, “pink.rs”, “republika.rs”, “novosti.rs” dhe “informer.rs” nuk ofrojnë asnjë fakt se Prishtina zyrtare mbështet protestat e studentëve në Serbi.

Këta artikuj kanë raportuar për publikimin e flamurit serb në median në gjuhën shqipe “gazetaexpress.com” dhe raportimin për protestën në Beograd. Sipas raportimeve, “mediat nën regjimin e Kurtit tani publikojnë fotografi të flamurit serb, vetëm sepse është në interes të Prishtinës”.

“Ky flamur vlen për Kurtin vetëm kur Serbia digjet dhe shkatërrohet”, kanë pretenduar nëpër artikuj mediumet në fjalë.

Hibrid.info ka gjetur edhe artikullin e “gazetaexpress.com”, që ka raportuar për gjendjen në Serbi në prag të protestës së paralajmëruar. Aty nuk shfaqet asnjë ndërlidhje e protestës me Kosovën. 


Më 15 mars, sot, është paralajmëruar protestë e madhe në Beograd nga studentët që kanë bllokuar universitetet qe disa muaj. Ata po kërkojnë përgjegjësi politike e penale për shembjen e një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi-Sad e që u mori jetën 15 personave në nëntor të 2024-s. Para protestës në Beograd, tubime ka pasur edhe në disa qytete të tjera në Serbi. (shih këtu)

Edhe pas këtyre protestave, në Serbi në vazhdimësi ka pasur raportime që janë përpjekur të lidhin institucionet e Kosovës me mbështetje për protestat. Hibrid.info ka analizuar narrativa të tilla konspirative në Serbi mbi kaosin e brendshëm dhe protestat e studentëve dhe “ndërlidhjen me Albin Kurtin”. (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Pa ofruar asnjë fakt, disa media në Serbi kanë ndërlidhur sërish figurën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me protestat e studentëve atje.

Në raportim, në ditën e protestës në Beograd, media në Serbi kanë përdorur një raportim në Kosovë, të cilin e kanë interpretuar si mbështetje e Kurtit për protestuesit. E raportimi ka qenë vetëm për protestën dhe s’ka ofruar asnjë bazë për pretendim në Serbi.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »