info@hibrid.info
Mediumi në gjuhën serbe pretendon rrejshëm se civilët e vrarë në Masakrën e Reçakut kanë qenë ushtarë të UÇK-së
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Një film propagandues serb mbi Masakrën e Reçakut, i prodhuar më 2022, ka pretenduar se 45 civilët e vrarë në këtë masakër kanë qenë ushtarë të UÇK-së.

Media në gjuhën serbe “Novosti.rs”, ka publikuar një artikull të hënën mbrëma (12 gusht), me titullin ““REÇAKU” ISHTE MASHTRIMI I MADH: Shikoni fotot e “civilëve” me uniformat e UÇK-së terroriste”, duke u bazuar në të dhëna propaganduese nga ky film.


Vegëza e artikullit të publikuar nga mediumi në gjuhën serbe “Novosti.rs”

https://archive.ph/FxHIN


Çka thotë artikulli?

Filmi propagandues serb “Dosja Kosova – Reçaku” pretendon se 45 civilët e vrarë në Masakrën e Reçakut kanë qenë në fakt ushtarë të uniformuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i fryrë kështu narrativit zyrtar të shtetit serb për mohimin e këtij krimi.

Në filmin “Dosja Kosova – Reçaku” të autores Sllagjana Zariq shfaqen fotografi të pjesëtarëve të njësitit të UÇK-së në Reçak, të cilat hedhin poshtë tezën se në Reçak janë vrarë “civilë të pafajshëm”, siç thuhej.

Filmi, sipas artikullit të “Novosti”-t, është bazuar në disa postime nëpër rrjete sociale ku janë publikuar fotografi të disa personave me uniforma të UÇK-së e për të cilët pretendon se janë në mesin e të vrarëve e të masakruesve në Reçak.

Cila është e vërteta mbi Masakrën e Reçakut?

Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, ka ndodhur një ndër krimet më të rënda serbe në Kosovë.

Për Masakrën e Reçakut, ku u vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë, kanë raportuar shumë media ndërkombëtare, bazuar në raporte po ashtu ndërkombëtare, duke e konsideruar këtë ngjarje si masakër ndaj civilëve të pambrojturWilliam Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ishte zyrtari i parë ndërkombëtar dëshmitar i kësaj masakre, dhe i pari që alarmoi botën për mizoritë serbe në Kosovë. (më shumë për Masakrën e Reçakut mund të lexoni KËTU)

Argumentimin e kryerjes së masakrës së Reçakut nga forcat serbe e kanë bërë shumë organizata botërore për të drejtat e njeriut, në mesin e tyre edhe më kredibilija “Human Rights Watch” (HRW), e cila po ashtu kishte akuzuar forcat policore e ushtarake serbe për këtë krim.

Human Rights Watch hodhi poshtë kategorikisht pretendimet e qeverisë jugosllave se viktimat e sulmit të 15 janarit në Reçak ishin ose ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vrarë në luftime, ose civilë të zënë në të shtëna mes palëve.

Pas një hetimi të detajuar, organizata akuzoi forcat e policisë speciale serbe dhe ushtrinë jugosllave për sulme pa dallim ndaj civilëve, torturim të të burgosurve dhe kryerje të ekzekutimeve në distanca të shkurtra. Provat sugjerojnë se forcat qeveritare kishin urdhër të drejtpërdrejtë për të vrarë banorët e fshatit mbi moshën pesëmbëdhjetë vjeç. (KËTU)

Raporti tjetër i HRW:

Gazetarët në vendin e ngjarjes në fillim të 16 janarit i thanë Human Rights Watch se shumë nga këta njëzet e tre burra kishin gjithashtu shenja torture, si për shembull mungesën e thonjve të gishtave. Rrobat e tyre ishin të përgjakura, me prerje dhe vrima në të njëjtat pika me plagët e tyre të hyrjes dhe daljes nga plumbat, gjë që argumenton kundër pretendimeve të qeverisë (serbe, shën.red.) se viktimat ishin ushtarë të UÇK-së që ishin veshur me rroba civile pasi ishin vrarë. (shih këtu)

(Hibrid.info, çështjen e Masakrës së Reçakut dhe narrativit serb dhe atij rus mbi të, e ka trajtuar edhe në të kaluarën – KËTU, KËTU).


Analiza

Media në gjuhën serbe “Novosti” publikoi dje (12 gusht) në mbrëmje një artikull me titullin: ““REÇAKU” ISHTE MASHTRIMI I MADH: Shikoni fotot e “civilëve” me uniformat e UÇK-së terroriste”, duke u bazuar në të dhëna propaganduese nga një film serb mbi këtë krim të rëndë.

Me gjithë raportet e organizatave kredibile ndërkombëtare të cilat kanë bërë verifikimin e kufomave, shteti i Serbisë në vazhdimësi e mohon këtë krim.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë publikim e konsideron si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »