Shkroi: Festim Rizanaj
Sipas një artikulli të publikuar më 3 prill nga e përditshmja në gjuhën serbe “Politika.rs”, me titullin “Operacioni sekret i Kurtit para postës në Zveçan”, pretendohet se sulmi me bombë ndaj zyrës postare në Zveçan ishte pjesë e një operacioni të organizuar nga institucionet e Prishtinës, me ndihmën e një shërbimi inteligjent evropian. Sipas mediumit, ky akt synonte të krijonte një krizë artificiale në veri të Kosovës dhe nuk ishte i rastësishëm, pasi përkoi me vizitën në Prishtinë të ministrit të Jashtëm britanik, David Lammy.
Në artikull thuhet gjithashtu se gjithçka që ka ndodhur muajt e fundit ndaj serbëve në rajon është pjesë e një “skenari të koordinuar nga një dorë e vetme”, që sipas mediumit, kontrollon ngjarjet për qëllime politike. Si shembull tjetër përmendet edhe vendosja e eksplozivit në kanalin Ibër-Lepenc, për të cilën Prishtina kishte akuzuar serbët, ndërsa Politika.rs pretendon se edhe ky ishte një inskenim i ngjashëm.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Megjithatë, ky artikull nuk ofron asnjë fakt apo dëshmi konkrete për të mbështetur këto pretendime, dhe mbetet në kuadrin e një narrative konspirative dhe të pabazuar.
Çka dihet për rastin e sulmit në Postën e Kosovës në Zveçan
Objekti i Postës së Kosovës në komunën e Zveçanit u bë shënjestër e një sulmi me granata dore të llojit M-75 gjatë mesnatën e së martës (1 prill). Një nga granatat shpërtheu në momentin e sulmit, ndërsa tjetra u neutralizua më vonë në mënyrë të kontrolluar nga njësitë e Policisë së Kosovës. Nga ky incident nuk pati të lënduar, ndërsa janë raportuar vetëm dëme materiale. (këtu)
Në një postim në Facebook, Policia e Kosovës tha se një ose disa persona të panjohur kanë hedhur granata dore dhe se njësia anti-terror është duke “punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij shpërthimi”.
Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, që është udhëzuar ta inicojë rastin si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se autoritetet janë duke hetuar intensivisht sulmin me granata në Zveçan, por ende nuk ka informacion të detajuar për autorët. “Nuk mund të jap detaje për personat apo grupin përgjegjës për hedhjen e granatave, pasi kjo çështje është ende në fazën e hetimeve, por mund të konfirmoj se po e trajtojmë me seriozitet të plotë”. (këtu)
Dega e Postës së Kosovës në Zveçan u hap më 27 mars, në të njëjtën ditë kur u hap edhe në Zubin Potok – të dyja komuna në veriun e Kosovës të banuara me shumicë serbe.
Vitin e kaluar (2024), në Zveçan janë realizuar sulme me mjete shpërthyese ndaj dy objekteve: stacionit të Policisë dhe ndërtesës të Komunës.
Në veri të Kosovës, tensionet janë shtuar sidomos pas nisjes së zbatimit të vendimit për targat, duke sjellë rritje të sulmeve ndaj institucioneve dhe mbyllje të shumë strukturave paralele serbe. Si pasojë e tensioneve të vazhdueshme, që lidhen me përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë sovranitetin në këtë pjesë, në katër komunat me shumicë serbe janë mbyllur një sërë institucionesh paralele, përfshirë zyra postare dhe tatimore.
Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc
E përditshmja serbe Politika.rs e ka krahasuar sulmin ndaj Postës së Kosovës në Zveçan me atë në kanalin Ibër-Lepenc, duke sugjeruar se edhe ky ishte një inskenim i ngjashëm.
Megjithatë, Politika.rs nuk paraqet asnjë fakt apo provë të besueshme për të mbështetur këto akuza, duke mbetur në një narrativë konspirative dhe të pabazuar në fakte.
Mbrëmjen e 29 nëntorit 2024, një shpërthim në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok shkaktoi dëme të mëdha në infrastrukturë, duke prekur furnizimin me ujë dhe termocentralin e Obiliqit. Qeveria e Kosovës e quajti sulm terrorist, duke e lidhur me Serbinë, dhe arrestoi 8 individë të dyshuar, të lidhur me organizatën Civilna Zashtita. Reagimet ndërkombëtare përfshinin dënim dhe thirrje për hetim të plotë. (këtu)
Analiza:
Në një artikull të publikuar më 3 prill nga Politika.rs, titulluar “Operacioni sekret i Kurtit para postës në Zveçan”, pretendohet se sulmi me bombë ndaj zyrës postare në Zveçan ishte pjesë e një operacioni të organizuar nga institucionet e Prishtinës, me mbështetje nga një shërbim inteligjent evropian.
Gazeta po ashtu përmend vendosjen e eksplozivit në kanalin Ibër-Lepenc, duke e cilësuar si një inskenim të ngjashëm, pa ofruar asnjë provë të besueshme dhe duke mbetur në një narrativë konspirative.
Ndërkohë, Policia e Kosovës njoftoi se një ose disa persona të panjohur hodhën granata dore, dhe njësia anti-terror është duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët, ndërsa Prokuroria e Shtetit është njoftuar dhe ka iniciuar hetimet për “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info, këtë pretendim e vlerëson si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.