info@hibrid.info
Ministri i Jashtëm rus vazhdon ta krahasojë pa bazë Kosovën me Krimenë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergej Lavrov, ka përsëritur krahasimin e rastit të Kosovës me të Krimesë.

Krahasimin më të fundit ai e ka bërë në një intervistë për gazetarin Tucker Carson. Ajo u publikua më 5 dhjetor.

Cili është pretendimi i Lavrovit?

Edhe pse faktet tregojnë se krahasimi i Kosovës me Krimenë është i pabazë, Lavrovi ka vazhduar ta përdorë si justifikim për aneksimin e dhunshëm të gadishullit ukrainas (Krimesë) nga Rusia në vitin 2014 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.


Duke folur për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lavrov ka thënë se SHBA-ja i pranon rezultatet e zgjedhjeve të popujve varësisht se a i pëlqejnë apo jo. Ai ka akuzuar SHBA-në se historikisht ka funksionuar duke “krijuar një problem dhe më pas duke u munduar ta përdorë situatën për vete”, teksa cituar konfliktet në Irak, Libi, Afganistan. Si shembull ka përmendur edhe zgjedhjet në Gjeorgji, që sipas tij, nuk janë pëlqyer nga amerikanët edhe pse “raporti i OSBE-së ishte pozitiv”.

Shembull për “standarde të dyfishta” në këtë rast ai është përpjekur të marrë rastin e përkrahjes amerikane për pavarësinë e Kosovës.

“Kur SHBA-ja dhe shtetet tjera perëndimoe njohën shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, ata thanë se kjo është implementim i të drejtës për vetëvendosje. Dhe në Kosovë nuk pati referendum. Shpallje e njëanshme e pavarësisë. Pas kësaj, serbët iu afruan Gjykatës Ndëprkombëtare të Drejtësisë që vendosi se, normalisht s’janë specifikë në vendim, por vendosi që kur pjesë të një territori shpallin pavarësinë, nuk është e domosdoshme të ketë pajtim me qeverisjen qendrore. Dhe kur vite më pas në Krime po mbahej referendiumi, ishin të ftuar shumë mbikëqyrës ndërkombëtarë, jo nga organizatat ndërkombëtarët, por nga parlamentarët në Evropë, Azi, ish-shtetet sovjetike, dhe thonin se nuk mund ta pranonin sepse është shkelje e integritetitrt territor. Kjo është sikur ‘zgjidh e merr’. Karta e Kombeve të Bashkuara s’është menu. Duhet ta respektoni si të plotë” (video me këtë përgjigje në llogarinë e MPJ-së ruse në X)

Deklarata e Lavrovit është publikuar në media në gjuhën serbe (shih këtu dhe këtu)


Ku janë dallimet në këtë krahasim?

NATO nuk e “pushtoi” Kosovën pasi i dëboi forcat serbe, por dërgoi një mision paqeruajtës. Trupat ruse, nga ana tjetër, kanë vendosur kontrollin mbi Krimenë, edhe para se të mbahej një referendum për bashkimin me Rusinë.

NATO ndërhyri në Kosovë pas dëshmive të krimeve serbe kundër shqiptarëve, të cilat përfshinin vrasje masive dhe dëbime nga vendbanimet e tyre. Forcat ruse kanë ndërhyrë në Ukrainë, megjithëse nuk janë raportuar abuzime apo dhunë kundër rusëve etnikë.

Kosova shpalli pavarësinë, por nuk iu bashkua Shqipërisë. Krimea, e cila është e banuar kryesisht nga qytetarë rusë, nënshkroi një marrëveshje për t’u bashkuar me Rusinë dy ditë pas një referendumi që Perëndimi e gjykoi si jodemokratik (këtu).

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 (këtu). Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare (këtu). Pavarësia e Kosovës deri më tani është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë SHBA-të dhe shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian (këtu).

Për më tepër, Krimea është pjesë integrale e shtetit të Ukrainës e cila është aneksuar në mënyrë ilegale nga Rusia në vitin 2014 (këtu). Referendumi në Krime, i mbajtur më 16 mars 2014, u refuzua në të njëjtin vit si i paligjshëm – me votat e 100 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (shih këtu).

Edhe pse krahasimi i Krimesë me Kosovën është i paqëndrueshëm, zyrtarët të lartë të Rusisë vazhdojnë ta përdorin këtë si alibi, duke filluar nga presidenti, Vladimir Putin (shih këtu).

Platforma për verifikim faktesh, hibrid.info, më 11 nëntor ka publikuar raportin “Krahasimi Ukrainë – Kosovë në narrativat dezinformuese të Rusisë”. Aty për herë të parë janë krahasuar narrativat ruse për Ukrainën dhe ndërlidhja e tyre me Kosovën. (Raporti i plotë)


Analiza:

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, në një intervistë për gazetarin Tucker Carson ka krahasuar pa bazë shpalljen e pavarësisë së Kosovës me aneksimin rus të Krimesë në Ukrainë.

Deklaratën e ka dhënë duke i akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “standarde të dyfishta” në politikën e jashtme.

Faktet e demantojnë Lavrovin. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ndërsa Krimea është pjesë integrale e shtetit të Ukrainës e cila është aneksuar në mënyrë ilegale nga Rusia në vitin 2014.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi kategorinë e vërtetësisë, deklaratën e Lavrovit për krahasimin Kosovë – Krime, hibrid.info e vlerëson si “deklaratë të pavërtetë”.

Arsyetimi:

Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.

Share With Others

Translate »