Nga data 1 shkurt e këtij viti, valuta zyrtare e Serbisë, dinari, u shpall e jashtëligjshme për përdorim për transaksione të pagesave brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Ky vendim i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) zgjoi narrativën serbe për dëbim të serbëve nga Kosova. Ishin krerët shtetërorë të Serbisë, nisur nga presidenti, Aleksandar Vuçiq, kryeministrja Ana Bërnabiq, por edhe nga Zyra për Kosovën në qeverinë e atjeshme, që pretenduan se ky veprim i institucioneve të Kosovës ka për qëllim dëbimin e serbëve.
Presidenti i Serbisë tha se kjo është një përpjekje e kryeministrit Albin Kurti për të “ndaluar pagesat e pagave dhe pensioneve të serbëve lokalë që punojnë në shëndetësi, arsim e institucione të Serbisë” brenda territorit të Kosovës.
Madje ai tha se “kjo nënkupton një largim të zëshëm të serbëve nga Kosova”.
Kryeministrja Bërnabiq ka pretenduar se kryeministri Kurti “po bën gjithçka për të destabilizuar situatën në terren”. Ndërkaq, Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, ka thënë se vendimi për ndalimin e dinarit në Kosovë ka për qëllim “dëbimin e serbëve pa përdorur armë”.
E Banka Popullore e Serbisë, e pyetur nëse mund të ketë një marrëveshje me BQK-në, tha se “nuk mund të flitet për marrëveshje” të tillë.
“Shtyjeni fuqizimin e vendimit”
Veç reagimeve nga pala serbe, kundër vendimit të BQK-së dolën edhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Bashkimi Evropian dhe shtetet e QUINT.
Ata kërkuan shtyrje të fuqizimit të vendimit, duke thënë se nevojitet një periudhë më e gjatë informimi për pakicën serbe në Kosovë.
“Sot zhvillova një takim produktiv me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e ShBA-së lidhur me zbatimin e rregullores së miratuar për operacionet me para të gatshme. Ne bëjmë thirrje që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, në mënyrë që të japë kohë për tranzicion më efektiv dhe komunikim me publikun që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët”.
Ky ishte deklarimi i ambasadorit të ShBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier në platformën X, pas një takimi që zhvilloi me Guvernatorin Ismaili më 29 janar.
Në ditën e hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është thellësisht i zhgënjyer me planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.
“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, thuhet në një përgjigje të Departamentit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.
DASh tha se ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo rregullore dhe nëse nevojitet urgjenca, por theksuan se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje të përshtatshme.
Kërkesa të ngjashme pati edhe nga ambasadorët e pesëshes së madhe të akredituar në Kosovë.
“Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, u tha në deklaratën e përbashkët të shteteve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania).
Krizë e re Kosovë-Serbi?
Një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të BQK-së për dinarin, Agjencia franceze e lajmeve AFP raportoi se Kosova është në prag të një krize të re.
Kjo, bazuar në atë se shumë serbë në Kosovë punojnë për institucionet serbe me pagat, pensionet dhe transaksionet e tjera financiare që i marrin në dinarë dhe jo në euro.
Serbët lokalë të veriut thonë se “të gjithë po luajnë” me ta dhe se janë “lodhur me politikën”.
Edhe rrjeti televiziv evropian i lajmeve, “Euronews”, pretendoi se mund të ketë tensione etnike.
Drojë të njëjtë pati edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili të enjten e 1 shkurtit tha se “Kosova rrezikon të përballet me tensione të reja”, për shkak të vendimit të BQK-së.
Megjithatë, në ditën kur vendimi hyri në fuqi, agjencia britanike e lajmeve “Reuters” raportoi se në veri, serbët ende vazhdojnë të përdorin dinarin “meqë qeveria ka lejuar një fazë tranzicioni”.
Pse Kosova e ndaloi dinarin?
Duket se vendimi për “tranzicion” erdhi pas thirrjeve të ndërkombëtarëve, pasi qeveria të mërkurën (31 janar) tha se do të lejojë një periudhë kalimtare, ndonëse nuk e përcaktoi se sa e gjatë do të jetë kjo periudhë.
Në një konferencë për media të mërkurën (31 janar), zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se ndalimi i dinarit do të ndalonte rrjedhën e parave të parregulluara nga Serbia.
Ai shtoi se nga 1 shkurti nuk do të nisin masat ndëshkuese, por do të ketë investime në informim për qytetarët serbë.
Bislimi theksoi se Rregullorja e re e BQK-së ka qëllim ta mbrojë integritetin financiar dhe ta mbrojë konsumatorin dhe sistemin e pagesave.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërkaq, në të njëjtën konferencë, tha se do të ketë fushatë që bizneset në veri të fiskalizohen.
“Jemi të përkushtuar që të ofrojmë edhe masa mbështetëse edhe për të gjitha bizneset e tjera”, ka thënë ai.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, më 1 shkurt, duke iu përgjigjur kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë, tha se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.
Ai tha se faza tranzitore ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar dhe gjithçka ka shkuar në rregull.
“BQK është institucion i pavarur i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja e institucioneve të pavarura, nuk mund të negociohen nga politikanët”, deklaroi Kurti.
Narrativi i pretenduar nga pala serbe se vendimi për përdorimin vetëm të euros në territorin e Kosovës ka të bëjë me “dëbimin e serbëve”, asnjëherë nuk është faktuar.
Eksponentë të qeverisë së Kosovës kanë thënë se vendimi ka të bëjë me mbrojtjen e integritetit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe sistemin e pagesave.
BQK-ja, më 17 janar të këtij viti njoftoi se “Rregullorja e Re për Operacionet me Para të Gatshme” ishte miratuar më 27 dhjetor, 2023, ndërsa do të hynte në fuqi më 1 shkurt, 2024.
Kjo Rregullore, veç tjerash, përcaktonte se “valutë e vetme e lejuar për përdorim për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro”.
Ndonëse në rregulloren e re nuk përmendej ndonjë valutë tjetër, dhe këtu as dinari, thuhej se “valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.
Artikull analitik nga Agon Osmani