info@hibrid.info
Ndryshimi i stemës së KF Deçiqit nuk nxiti kaos, siç pretendojnë mediat në gjuhën serbe
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Është pretenduar se ndryshimi i stemës së klubit futbollistik nga Tuzi i Malit të Zi, Deçiq, ka nxitur kaos.

Këto pretendime i kanë hedhur mediat në gjuhën serbe ditëve të fundit, kryesisht me tituj të ngjashëm.

Çka po thuhet për stemën e re?

KF Deçiqi nga qyteti i Tuzit të Malit të Zi, më 28 mars të këtij viti publikoi stemën e re të klubit në rrjetin social Instagram (shih këtu).

Media në gjuhën serbe, “Informer”, më 30 mars ka publikuar një artikull, me titullin “Kaos në Mal të Zi! Kampioni ndryshoi stemën me ngjyrat e Shqipërisë, tifozët çmenden: Katastrofë, trishtim… (FOTO)”.


Aty pretendohet se tifozeria e klubit “Deçiq” është hidhëruar me vendimin për ndryshimin e stemës, e cila tash mban ngjyrat kuq e zi, dhe me emrin e klubit në dy gjuhë, malazezisht dhe shqip.

Veç “Informer”, pretendime për pakënaqësi nga ana e tifozëve kanë bërë edhe media tjera në gjuhën serbe, si “Novosti” e “Telegraf”.

Në lidhje me stemën e re, nga mediat në gjuhën serbe pretendime për pakënaqësi ka pasur edhe në korrik të vitit të kaluar, kur edhe ishte paralajmëruar ndryshimi i saj.

Më 2 korrik, 2024, media në gjuhën serbe “Informer” pati pretenduar se ishte anuluar një ndeshje miqësore mes KF Radniçkit (Serbi) dhe KF Deçiqit (Mal i Zi), dhe shkak i kësaj edhe atëherë pretendohej të ketë qenë stema e re, asokohe vetëm e paralajmëruar.

Çka dihet për këto dy raste?

Hibrid.info ka hulumtuar rastin e kaosit të pretenduar për stemën e re të klubit futbollistik Deçiqi.

Presidenti i KF Deçiqit, Pal Dreshaj, në një paraqitje televizive në “Klan Kosova”, i ka mohuar pretendimet e mediave në gjuhën serbe për kaos.

Pjesë nga deklarata e Dreshajt:

“Në Tuz është pritur shumë mirë nga tifozët shqiptarë. Natyrisht se ka një grup tifozësh që ishin në garniturën e mëhershme, që e tjetërsuan klubin, që ishin kundër edhe menaxhimit që e morën para katër vitesh, dhe klubin e morëm nga pothuajse liga e 3, me borxhe, pa infrastrukturë, pa rezultate, pa akademi. Edhe atëherë ishin kundër, janë kundër edhe tani. Pas katër vitesh suksese, pra deri në titullin kampion, me stadium të ri, me një akademi të ngritur që është respektabile në Mal të Zi, ata natyrisht se tani janë kundër, por janë një pakicë e vogël”.

“Është gënjeshtër, fake news. Gjithçka në klub po shkon në rregull, perfekt. Ka disa reagime në rrjete sociale, por janë të pakët ata, ndërsa pothuajse të gjithë tifozët dhe dashamirët e klubit janë të entuziazmuar dhe janë të gëzuar për këtë veprim”, deklaroi Dreshaj për televizionin “Klan Kosova” (KËTU nga minuta 12:00).


Ndërsa, edhe pretendimi i korrikut të vitit të kaluar nga media në gjuhën serbe “Informer”, se arsyeja për anulimin e ndeshjes miqësore mes Radniçkit dhe Deçiqit në qytetin Zllatibor të Serbisë ishte stema e re e paralajmëruar nga Deçiqi, ishte hedhur poshtë.

Me titullin, “A jeni ju malazezë apo shiptarë? Radniçki parandaloi skandalin”, (termi për shqiptarë në titullin të këtij artikulli është përdorur në formën pezhorative ‘Šiptari’) media në gjuhën serbe pretendonte se miqësorja e paralajmëruar për datën 2 korrik, është anuluar për shkak të stemës së re të paralajmëruar nga klubi i Malit të Zi.

Por, atë ditë ishte raportuar se përveç ndeshjes Radniçki vs Deçiq, edhe miqësorja tjetër mes KF Mornarit (Mali i Zi) dhe FK Mladost Luçani (Serbi) ishte anuluar. Arsye për anulimin e këtyre dy ndeshje kishte qenë moti i lig (këtu).

Artikulli i përkthyer në shqip nga media në gjuhën malazeze, “DAN”:

“Dy skuadrat malazeze që po përgatiten për paraqitjen e tyre në skenën evropiane në Zllatibor, Deçiqi dhe Mornari, nuk i kanë luajtur sot ndeshjet e tyre të planifikuara”.

“Tuzianët do të luanin kundër Radniçkit nga Kragujevci, dhe Mornari kundër Mlladostit nga Luçani. Megjithatë, stuhia që goditi rajonin e Zllatiborit çoi në anulimin e këtyre ndeshjeve”.

“Kampioni malazez ka përfunduar përgatitjet në Zllatibor dhe nuk do të ketë më ndeshje kontrolluese, ndërsa Mornari, nëse moti e lejon, nesër në orën 11 do të luajë kundër Luçanit. Pas asaj ndeshjeje, ekspedita e Mornarit kthehet në Mal të Zi”, thuhej në artikullin e medias në gjuhën malazeze “DAN”, më 2 korrik, 2024.


Analiza

Mediat në gjuhën serbe kanë pretenduar se në klubin futbollistik “Deçiq” të Malit të Zi po ndodh kaos. Shkak për këtë, këto media pretendonin të jetë ndryshimi i stemës së këtij klubi futbollistik.

Mirëpo, presidenti i KF Deçiqit, Pal Dreshaj, në një paraqitje televizive, i ka mohuar pretendimet e mediave në gjuhën serbe për kaos, duke thënë se këto pretendime janë gënjeshtra.

Po ashtu, për të njëjtën arsye, pra për ndryshimin e stemës së KF Deçiqit, mediat në gjuhën serbe patën raportuar pa fakte se edhe më 2024 ishte anuluar miqësorja me KF Radniçkin (Serbi).

Ky pretendim po ashtu ishte hedhur poshtë, pasi në ditën kur përballja testuese Radniçki vs Deçiqi ishte anuluar, edhe miqësorja tjetër mes Mornarit (Mal i Zi) e Mlladostit nga Luçani (Serbi) ishte anuluar, dhe arsyeja kishte qenë moti i lig.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i cilëson “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »