Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull dje (30 gusht) me pretendimin se kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është parë në skena intime në një jaht.
Artikulli bazohet në një postim në Facebook nga profili me emrin “Дражан Стојковић”, i cili ka publikuar një fotografi ku shihet një burrë tullac me syze (duke iu referuar si njëri nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës) në momente intime më një grua në jaht, për të cilin portalet informative pretendojnë se është Goran Rakiq.
Pas verifikimit të nga hibrid.info është gjetur se burri që shihet në foto nuk është Goran Rakiq.
Vegëza e artikujve të publikuar në disa portale informative:
Profili me emrin “Дражан Стојковић” në Facebook ka publikuar një fotografi ku pretendon se mashkulli tullac me syze në momente intime me një grua në jaht është, siç e thotë ai, njëri nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës. Por pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, siç duket ky postim është fshirë nga llogaria e lartcekur. (shih këtu)
Krahas fotografisë profili në fjalë shkruan: “Ndërsa njerëzit në Kosovë kanë frikë nga arrestimet dhe aksionet e reja të Përfaqësuesve serbë të Prishtinës, udhëheqësit e tyre janë shpërqendruar, njëri në pazar me pasuri të patundshme dhe tjetri në jaht duke bërë stërvitje për fizikun e tij”.
Disa portale informative në gjuhën shqipe duke iu referuar këtij postimi kanë publikuar artikuj me titull “Publikohet super skandali, kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, në aksion intim në jaht!”.
Hibrid.info pas hulumtimit të bërë me makinat online të kërkimit ka gjetur së mashkulli tullac më syze në foton e publikuar nuk është Goran Rakiq, por Drejtori Ekzekutiv i Amazon, Jeff Bezos. Pra, në fotografi shihen Jeff Bezos me të fejuarën e tij, Lauren Sanchez. (këtu, këtu)
Analiza:
Nëpërmjet një fotografie të publikuar u pretendua se kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq është kapur deri sa ishte në disa momente intime me një grua.
Por pas verifikimit të fakteve u gjet se mashkulli në fotografi nuk ishte Goran Rakiq, por Jeff Bezos, drejtori ekzekutiv i Amazon.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “përmbajtje e pa verifikuar’.
Vlerësimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.