info@hibrid.info
Në njërin prej takimeve të Kurtit në Bosnjë-Hercegovinë kishte flamur të Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet një artikulli është pretenduar se në takimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në vizitën në Bosnjë-Hercegovinë, nuk ka pasur flamur të Kosovës.

“Poshtërimi që ia bëri Albin Kurti shtetit në Bosnjë, në takimet e tij mungoi flamuri i Kosovës”, mban titullin artikulli i portalit në gjuhën shqipe “demokracia.com”, i publikuar më 6 dhjetor. (Artikulli i arkivuar)

I njëjti pretendim u publikua edhe në formë postimi në Facebook nga faqja “Demokracia”.

Çka thuhet në artikull?

Në raportim, “demokracia.com” ka marrë për bazë fotografitë nga takimet e Kurtit me dy anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës.

“Në këto takime nuk është parë asnjë flamur i Kosovës dhe nuk kishte as pritje zyrtare për të, duke poshtëruar Kosovën dhe dobësuar atë karshi shteteve të tjera”, thuhet në artikull.

Për dallim prej artikullit që merr për bazë dy takime të Kurtit, titulli lë të kuptohet se bëhet fjalë për të gjitha takimet që kryeministri i ka zhvilluar në Bosnjë-Hercegovinë.

E vërteta?

Më 6 dhjetor, pos takimit me dy anëtarët e presidencës, Kurti u takua edhe me zëvendëspresidentin e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Refik Lendo (njoftimi i Zyrës së Kryeministrit). E në takimin me Lendon në tavolinë ka qenë edhe flamuri i Kosovës.


Fotografia nga komunikata e Qeverisë së Kosovës:

Përderisa “demokracia.com” ka publikuar artikullin më 6 dhjetor në orën 18:14, fotografia me flamurin e Kosovës në tavolinën e takimit ka qarkulluar paraprakisht. (ekonomiaonline.com)

Se takimi me Lendon ka ndodhur para se të raportonte “demokracia.com” e dëshmon edhe njoftimi i zëvendëspresidentit të Bosnjë-Hercegovinës në Facebook, i publikuar në orën 13:07.


Sipas Ligjit për protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës, në nenin 15, si flamur cilësohet edhe flamuri i tavolinës. Aty specifikohen edhe përmasat që duhet t’i ketë ky flamur (ligji).


Raportet Kosovë – Bosnjë-Hercegovinë:

Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk e kanë njohur njëra-tjetrën për shkak të kundërshtimit të Republikës Sërpska, në krye të së cilës është Millorad Dodik, i cili ka orientim prorus dhe është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Vizita e Kurtit në Sarajevë është kundërshtuar nga Dodik, i cili ka thënë se qëndrimi i kryeministrit kosovar në Bosnjë, do ta ndërlikojë situatën në këtë shtet.

“Bosnje e Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ai rajon të hyjnë me letërnjoftim”, tha Dodik , sipas raportimit të Srnas.

Kryeministri kosovar nuk zhvilloi takim me anëtaren serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, kryesuesen Zhelka Cvijanoviq (Artikulli me detaje: “evropaelire.org”)


Analiza:

Nëpërmjet një artikulli, portali në gjuhën shqipe “demokracia.com” ka raportuar se në takimet e Kurtit në Bosnjë-Hercegovinë nuk ka pasur flamuj të Kosovës.

Por pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur fotografitë e publikuara nga Qeveria e Kosovës të takimit që Kurti ka pasur me zëvendëspresidentin e Bosnjë-Hercegovinës, Refik Lendo, e në të cilin takim në tavolinë shihet flamuri i Kosovës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull “Përmbajtje e pa verifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »