Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një artikull i titulluar, “Disa nxënës bojkotojnë mësimin, kërkojnë të shkurtohen orët mësimore gjatë Ramazanit”.
Ky lajm është publikuar sot (14 mars) në portalin e “Radio Televizionit 21”.
Çka nuk është në rregull me artikullin?
Hibrid.info ka gjetur se në këtë titull nuk është qartësuar vendndodhja e kësaj ngjarje.

Artikulli është publikuar edhe si postim në faqen në Facebook të këtij televizioni (lexo këtu).
Ndryshe nga titulli, kreu i lajmit tregon se ku ka ndodhur lajmi, kur shkruan se, “Pasi nxënësit në Komunën e Tetovë bojkotuan procesin mësimor me arsyetimin e kohës së iftarit, Nazmi Dauti nga sektori për Arsim thotë se kjo assesi nuk guxon të ndodh pasi ligji e parasheh se në çfarë situatash mund të ketë ndërprerje të procesit mësimor, përcjell TV21”.
Pse mossqarimi i vendit të ngjarjes në titull sjell paqartësi në këtë rast?
RTV 21 është i regjistruar në Komisionin e Pavarur të Medias (KPM) në Kosovë dhe është në pronësi të “Company 21 SH.P.K.” biznes i regjistruar Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Gjithashtu, sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2024, në Kosovë, është treguar se 93.49% e individëve të regjistruar, i përkasin besimit islam.
Që do të thotë se në këtë rast, mossqarimi në titull i vendit se ku ka ndodhur ngjarja, mund të lexohet nga audienca si lajm në Kosovë.
Ky biznes ka tjetër televizion në të njëjtin emër, i cili vepron dhe transmetohet në Maqedoninë e Veriut, me një faqe tjetër të në Facebook (shih këtu).
Në këtë faqe janë gjetur të publikuar dy video si kronika për ngjarjen në fjalë, ku në përshkrim është treguar se bëhet fjalë për komunën e Tetovës, që ndodhet në Maqedoninë e Veriu (shih këtu dhe këtu).
Analiza:
Lajmi për bojkotin e mësimit nga disa nxënës, të cilët kërkojnë shkurtimin e orëve të mësimit gjatë Ramazanit, është i vërtetë.
Por, titulli nuk e ka treguar se ngjarja ka ndodhur në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Media e cila ka publikuar lajmin, ka bazën në Kosovë, por operon edhe në Maqedoninë e Veriut, ndërsa artikullin e ka publikuar në uebfaqen zyrtare dhe në faqen në Facebook të dedikuara për audiencën në Kosovë .
Popullata në Kosovë, me shumicë i takon besimit islam.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.