Artikulli me titull “Sondazhi: 60% e qytetarëve mezi paguajnë faturat e muajit” është publikuar më 21 tetor nga portali informativ “Kosova-sot.info”.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk sqaron se në cilin shtet është bërë ky sondazh.
Kjo bëhet e qartë vetëm në përmbajtje, që tregon se fjala është për Mbretërinë e Bashkuar (MB).
Duke pasur parasysh se ky portal është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), një titull i tillë përgjithësues dhe me një imazh të tillë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të hamendësojnë se lajmi ka të bëjë me ndonjë sondazh të realizuar në Kosovë.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin informativ “Kosova-sot.info”:
Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Gati 32 milionë njerëz, ose ndryshe 60% e qytetarëve në Mbretërinë e Bashkuar po luftojnë çdo ditë për të paguar faturën e energjisë elektrike, njofton Autoriteti I Sjelljes Financiare në Britani (FCA).
Në sondazhin e kryer së fundmi, është vënë re se pamundësia ekonomike e britanikëve për të paguar faturat është rritur ndjeshëm që prej periudhës së pandemisë së Covid019 në vitin 2020.
Aktualisht, britanikët po përballen me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, raporton abcnews.al.
Portali i lartcekur këtë artikull e ka marr nga “abcnews.al”, të cilin edhe e citon në përmbajtje.
Hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në “abcnews.al” i cili, për dallim me atë në “Kosova-sot.info”, mbanë titull korrekt që sqaron vendin e këtij zhvillimi – “Kriza energjitike, Sondazhi: 60% e britanikëve mezi paguajnë faturat e muajit”. (shih këtu)
Pra, “Kosova-sot.info” ka publikuar artikullin e marr nga “abcnews.al” të cilit i ka vënë titull përgjithësues, duke mos sqaruar se në cilin vend është realizuar ky sondazh.
Analiza:
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me një sondazh të realizuar në Mbretërinë e Bashkuar, i cili thotë se “60% e britanikëve mezi paguajnë faturat e energjisë elektrike”, por duke mos e qartësuar vendin e këtij zhvillimi në titull të artikullit.
Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se një lajmi ka të bëjë me ndonjë sondazh të realizuar në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.