Portali online “kallxo.com” ka publikuar një lajm me titull “Thaçi në mesin e 950 zyrtarëve publikë që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë”. Mirëpo, titulli i këtij artikulli shihet se ka mospërputhje me përmbajtjen e tekstit.
Përderisa në titull përmendet një zyrtar publik me mbiemrin Thaçi, në tekst shihet se nuk ka sqarime nëse bëhet fjalë për presidentin Hashim Thaçi apo ndonjë zyrtar tjetër me këtë mbiemër. Në fakt, në tekstin e këtij artikulli nuk përmendet fare emri i ndonjë zyrtari, përveç një vegëze të ueb-faqes së Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), ku mund të gjenden deklarimet e pasurive e të gjithë zyrtarëve publikë.
Artikulli origjinal i publikuar në kallxo.com
Nga gjithsej 4751 subjekte deklaruese, formularët e 950 zyrtarëve të lartë publikë do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK). Sipas njoftimit të AKK-së, përveç kësaj liste të dalë nga shorti publik, AKK ka mandat ligjor “që të bëjë kontrollin e plotë të pasurisë edhe të zyrtarëve të tjerë që nuk janë përzgjedhur nga shorti, sipas detyrës zyrtare apo me kërkesë të publikut apo personave të tjerë të interesuar, në rastet kur ekzistojnë dyshime të bazuara në saktësinë dhe korrektësinë e deklarimeve”. Në këtë link mund të gjeni listën e plotë të zyrtarëve që janë të obliguar të bëjnë deklarimin vjetor të pasurisë dhe listën e zyrtarëve që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë së deklaruar. Sipas Ligjit, të gjithë zyrtarët e lartë kanë për obligim qe nga 1 marsi deri më 31 mars të deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion. Por për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e coronavirusit, afati ishte zgjatur deri në një periudhë të pacaktuar.
Vegëza e artikullit:
Meqenëse presidenti, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, vlerësohet si i pari i vendit, përdorimi i mbiemrit Thaçi në titull të këtij artikulli, asocion menjëherë tek presidenti aktual, gjë që sjell edhe kureshtjen e audiencës për të hapur dhe lexuar lajmin.
Analiza:
Duke qenë se në përmbajtjen e artikullit nuk sqarohet se për cilin zyrtar publikë me mbiemrin Thaçi bëhet fjalë, hibrid.info e kategorizon këtë lajm si “clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.