Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar dje (8 tetor) një artikull me titull “Edhe Aleksandër Vuçiq së bashku me Radojçqin në listën e zezë amerikane”.
Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se artikulli i publikuar paraqet një opinion, por që një gjë e tillë nuk është bërë e qartë nga publikuesi.
Në bazë të titullit nënkuptohet qe listës së zezë së ndalimeve të Shteteve të Bashkuara, i është shtuar edhe Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë.
As në titull e as në fotografi nuk është saktësuar se artikulli paraqet një opinion, çka mund të nënkuptohet se artikulli përbënë lajm.
Pjesë nga artikulli i publikuar në “Kosova-sot.info”:
Shkruan: ANALISTI-Skënder Mulliqi
Nuk është tashmë asgjë e re, nëse themi se akti terrorist në veri të Kosovës, është vepër e presidentit serb,Aleksandër Vuçiqi, i cili ishte dashur të hynë në listën e zezë të DASH-it. Krimineli i luftës Vuçiq, është mik dhe përkrahës I vëllezërve Veselinoviq, Radojçiqit, Vulinit, Rakiq dhe të tjerëve .Shtrohet pyetje, si ka pasur mundësi që vëllezërit Veselinoviq , Radojqiq, Vulin të ngjiteshin në njerëzit më të pasur në Serbi, po mos të ishin lidhur më kreun e shtetit serb?
Vegëza e artikullit të publikuar në “Kosova-sot.info”:
Pas hulumtimit në mediat sociale, hibrid.info ka gjetur llogarinë personale në Facebook të Skënder Mulliqit, opinioni i të cilit është postuar në artikullin e “Kosova-sot.info”. (shih këtu)
Analiza:
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një opinion të opinionistit Skënder Mulliqi, titulli i se cilit pretendon se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është i shtuar listës së zezë së Shteteve të Bashkuara.
Portali nuk e ka specifikuar se artikulli paraqet një opinion dhe ka titulluar artikullin qartësisht në mënyrë që të nxis lexuesit të klikojnë artikullin.
Andaj edhe bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Clickbait” e marrin ato tekste titulli i të cilave nuk ka asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.