Portali informativ “Le Canton27.ch” i vetëquajtur si “gazeta e parë zvicerane në gjuhën shqipe” ka publikuar dje në faqen e tij zyrtare në Facebook (4 tetor) një imazh me mbishkrimin në të cilin pretendohet se Rifat Jashari, vëllai i Adem dhe Hamëz Jashari, ka deklaruar se: “Perqafimet E Puthjet Me Vucicin Do I Paguash Shtrejt Nga Kosova, Mbaje Mend”.
Portali pretendon se deklarimi i Jasharit ka ardhur si reagim ndaj Edi Ramës, kryeministrit shqiptar.
Megjithatë, hibrid.info pas hulumtimit, nuk ka arritur të gjejë fakte se një deklarim i tillë ka ardhur nga përfaqësuesi i familjes Jashari.
Vegëza e postimit të publikuar nga “Le Canton27.ch”:
Pretendimi i njëjtë ishte publikuar edhe në vitin 2021 nga faqja në Facebook me emrin “Rtv Gjilani Press”. (shih këtu)
Hibrid.info ka kontrolluar por nuk ka arritur të gjejë profil zyrtar në Facebook apo rrjete të tjera sociale të Rifat Jasharit, në të cilat do të mund të verifikohej deklarata e pretenduar e tij. (shih këtu)
Po ashtu edhe pas kërkimit të realizuar nga “Hibrid.info” nëpërmjet makinës së kërkimit “Google, nuk u arrit të gjenden burime të besueshme që vërtetojnë deklaratën e pretenduar të Rifat Jasharit. (shih këtu)
Duket se publikimi i pretendimit të tillë lidhet me deklaratat e fundit të Edi Ramës dhënë për “Financial Times”, i publikuar në Koha.net. (shih këtu)
Analiza:
Portali informativ “Le Canton27.ch” në Facebook ka publikuar imazhin e përfaqësuesit të familjes Jashari, Rifat Jasharit me mbishkrimin që pretendon se ky i fundit ka bërë një deklarim si reagim ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Por që pas hulumtimit nga “hibrid.info” nuk eshtë gjetur asnjë fakt apo dëshmi nga burime të besueshme që konfirmojnë deklaratën e pretenduar.
Andaj edhe bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson publikimin si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.