Shkroi: Fatbardh Dema
U pretendua se gjatë ditës së shtunë (3 gusht) në një vetaksident me veturë që ka ndodhur në Veternik, kanë mbetur të plagosur dy persona, e që njëri prej tyre u raportua se ishte pjesëtar i KFOR-it.
Artikulli me këtë pretendim u publikua nga disa media online si, “Sinjali.com” dhe “Botasot.info”.
Çka tha KFOR?
Në një përgjigje për mediumin KlanKosova.tv, misioni i NATO-s në Kosovë njoftoi se nuk ka pjesëtar të KFOR-it të përfshirë në këtë aksident.
Vegëza e artikujve të publikuar në portalet informative “Sinjali.com” dhe “Botasot.info”:


Pjesë nga artikujt e publikuar në “Sinjali.com” dhe “Botasot.info”:
Vetaksident në Veternik të Prishtinës, lëndohen rëndë dy persona – njëri pjesëtar i KFOR-it
Vetura BMË u aksidentua rëndë, ku për pasojë u lëndua shoferi – pjesëtar i KFOR-it si dhe pasagjerja – shtetase e huaja.
Misioni i NATO-s në Kosovë, në një përgjigje dhënë për KlanKosova.tv, mohoi se ka pjesëtar të tyre të përfshirë në këtë vetaksident. (shih këtu)
“Sipas të dhënave tona nuk kemi asnjë pjesëtar të KFOR-it të përfshirë në këtë aksident”.
Çka tha Policia e Kosovës?
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e kishte konfirmuar se dy persona janë lënduar si pasojë e një vetaksident që kishte ndodhur të shtunën në Veternik. Por, që nuk është përmendur se njëri prej tyre është pjesëtar i KFOR-it.
“Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor. Me rastin po merret Njësiti i trafikut”, tha ajo. (shih këtu)
Analiza:
U pretendua se të shtunën në një vetaksident me automjet në Veternik, kishin mbetur të lënduar dy persona, e që njëri prej tyre u raportua se ishte pjesëtar i KFOR-it.
Megjithatë, misioni i NATO-s në Kosovë, kishte mohuar një gjë të tillë, duke thënë se “Sipas të dhënave tona nuk kemi asnjë pjesëtar të KFOR-it të përfshirë në këtë aksident”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e publikuar në portalet “Sinjali.com” dhe “Botasot.info”, si “Përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.