[email protected]
Nuk ka sondazh të publikuar që e nxjerr Vetëvendosjen me 67.2 për qind
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

67.2% është përqindja që është pretenduar se partia politike Lëvizja Vetëvendosje e ka marrë në sondazhet e fundit, në prag të zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025.

Pretendimi u bë nga llogaria “fakte_interesante_ks” në TikTok më 26 shtator.

Çka nuk shkon me këtë publikim?

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Hibrid.info ka verifikuar në makinën online të kërkimit “Google” me fjalët kyç “Vetëvendosje, 67.2”, “LVV 67.2%” dhe “Sondazhi i fundit në Kosovë”. Asnjëri nga këto kërkime nuk shfaqi rezultate të bazuara në mediume kredibile a organizata që merren me sondazhe.

Publikimi deri tash ka marrë më shumë se 10 mijë shikime dhe 169 komente deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info.

“Sipas sondazheve te fundit po del se LVV do te fitoje bindshem ndaj hienave. 67.2%. Shpresojme qe ky numer te rritet edhe me shume”, është mbishkrimi i plotë që i është vënë në këtë postim një fotografie të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.


Rreth sondazheve

Sondazhi është hetim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Dy sondazhet për të cilat ka pasur publikime muajve të fundit janë ai i prillit, kur “reporteri.net” publikoi disa të dhëna për të cilat raportoi se janë marrë nga një sondazh i kryer nga kompania “UBO Consulting” dhe ai qershorit kur “albanianpost.com” publikoi sondazh të realizuar nga kompania “Source” në bashkëpunim me këtë portal. Të dhënat e dy sondazheve tregonin përqindje tjera për Lëvizjen Vetëvendosje.

Javëve të fundit janë shtuar publikimet me pretendime për sondazhe për zgjedhjet. Hibrid.info ka verifikuar disa të tilla. (shih disa këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Llogaria me emrin “fakte_interesante_ks” në TikTok ka pretenduar se sipas sondazheve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje po prin me 67.2 për qind.

Hibrid.info ka përdorur “google.com” dhe në disa mënyra të ndryshme të kërkimit ka verifikuar se nuk ka pasur publikim me pretendimin e tillë në asnjë burim kredibil informacioni.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Lajm i rremë

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »