Shkroi: Fatbardh Dema
Pretendohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim që për festat e fundvitit të ndajë nga 100 euro për secilin qytetar të Kosovës.
Ky pretendim u publikua me datë 6 dhjetor në formë postimi në TikTok nga llogaria “zotishqiptar”.
E vërteta?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim është i rremë. Një vendim i tillë nuk është gjetur i publikuar në asnjë burim zyrtar.

Hibrid.info ka hulumtuar në faqen zyrtare të Kurtit në Facebook, e që shihet se nuk ka një vendim të tillë të kumtuar nga Kurti. (shih këtu)
As në ueb-faqen e Ministrisë së Financave, që në këtë rast është autoriteti kompetent, në seksionin “lajme”, nuk gjendet asnjë vendim për “ndarjen prej 100 eurove për secilin qytetar”. (shih këtu)
Hibrid.info ka kërkuar në “Google” me fjalët kyçe “Kurti merr vendim për ndarjen prej 100 eurove për secilin qytetar të Kosovës”, por rezultatet nuk shfaqin asnjë informacion të publikuar në media apo burime kredibile. (shih këtu)
Kjo përmbajtje në TikTok, deri në shkrimin e këtij artikulli ka arritur të marrë mbi 490 mijë shikime, të grumbullojë mbi 300 komente e afër 10 mijë pëlqime. (shih këtu)
Analiza:
Pretendimi se Kurti ka marrë vendim për shpërndarjen prej 100 euro për secilin qytetar të Kosovës, është i rremë.
Një vendim i tillë nuk është gjetur i kumtuar nga Kurti, e as nga Ministria e Financave, që në këtë rast është autoriteti kompetent.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.