[email protected]
Nuk u sigurua banim i përballueshëm për 4 mijë familje brenda mandatit, siç u premtua
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kishte premtuar banim të përballueshëm për 4 mijë familje, në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, në vitin 2021.

Sigurimin e asaj që ky subjekt e quante “Banimi i përballueshëm” e kishte premtuar kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti, në hapjen e fushatës së këtij subjekti politik (2 shkurt).

Çka ndodhi me premtimin?

Më 24 korrik 2024, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligji për Banimin Social dhe të Përballueshëm (këtu) në mbledhjen e 214-të.

Çka do të thotë se kur po numërohet viti i katërt qeverisës, koalicioni që udhëheq me institucionet qendrore ende nuk ka nisur ta realizojë ndërtimin e banesave të premtuara. 

Analiza:

Hibrid.info përmes makinave të kërkimit ka hulumtuar dhe ka verifikuar mbarëvajtjen e këtij premtimi deri tash.

Premtimi është hasur në video-materialin e gjetur të publikuar në faqen e kryeministrit Albin Kurti, në Facebook. Nga minuta e 22:53 e përmbajtjes, vërehet se Kurti përmend realizimin e këtij projekti gjatë mandatit të mundshëm qeverisës (shih këtu).

Premtimi i kryeministrit Kurtiti për banim të përballueshëm për 4 mijë familje shkëputur nga videoja e mësipërme:

“Para të gjitha familjeve dhe prindërve, zotohem se do punoj për t’ju mbështetur në sigurimin e banimit të përballueshëm për shumë kategori shoqërore dhe grupe profesionistësh. Për çiftet e reja, gratë kryefamiljare por edhe shërbyesit publik si arsimtarët, infermierët, policët, zjarrfikësit apo edhe administrata publike, vetëm gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4.000 familje. Kjo do të arrihet përmes programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120 përkatësisht 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit.”

Ky zotim u bë pjesë edhe e programit qeverisës të mandatit 2021-2025, të miratuar në maj të vitit 2021 (shih këtu dhe këtu).

Në program parashihej mundësia e banimit të përballueshëm për 4 mijë familje, ku përfshihej edhe Studim i Fizibilitetit për Programin e Banimit Social në Kosovë.

2.12.5 Banimi social dhe banimi i përballueshëm nga programi qeverisës:

Qeveria do t’i kushtojë një rëndësi të veçantë edhe banimit social. Për këtë qëllim, do të hartojmë Ligjin për Banim Social dhe politikat dhe planet në harmoni me vlerësimin e gjendjes ekzistuese të banimit në nivel kombëtar dhe vlerësimit të gjendjes së procesit të legalizimit dhe përditësimit të objekteve pa leje. Për këtë, do të finalizojmë Studimi i Fizibilitetit për Programin e Banimit Social në Kosovë. Në këtë kontekst, do të sigurojmë një qasje progresiste. Duke mos lënë askënd prapa, duke mos lënë askënd jashtë, do të sigurojmë të dinjitetshëm, individual e social për të gjithë. Për të moshuarit, që presin ndihmën tonë do t’i ndërtojmë edhe 5 shtëpi të tjera me shërbime të përkujdesjes për ta. 38 Ndër të tjera, do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje. Këtë synojmë ta arrijmë nëpërmjet programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove, për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit, i cili do të themelohet dhe ngarkohet me zbatimin e projektit


Më 16 shkurt të 2022, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu kishte lajmëruar për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për studimin e fizibilitetit për projektin e banimit të përballueshëm, me drejtorin rajonal të International Finance Corporation (IFC-së) për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Ary Naïm (shih këtu).

Gjetjet dhe rekomandimet e tyre në lidhje me implementimin e këtij projekti, përfaqësuesit e IFC-së i prezentuan në një takim me ministrin Aliu, për të cilin po ashtu ai kishte njoftuar me anë të një publikimi në Facebook, më 1 shkurt 2023 (shih këtu).

Kërkimet e mëtutjeshme kanë gjetur se kryeministri Kurti, më 23 shkurt të vitit 2023, duke iu përgjigjur një pyetjeje parlamentare në Kuvend, kishte deklaruar nisjen e projektit të 4 mijë banesave për çiftet e reja, gjatë atij viti (shih këtu).

Për një marrëveshje me vlerë 25 milionë euro ndërmjet ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB) ishte njoftuar në një publikim të kësaj ministrie më 25 janar të 2024.

Komunikata e gjetur nga hibrid.info, tregonte se marrëveshja kishte për synim banimin e përballueshëm për familjet e cenueshme në Kosovë.

Po ashtu, hibrid.info ka gjetur se ministri i Infrastrukturës Aliu, në shkurt të vitit 2024 kishte njoftuar për dërgimin e thirrjes te komunat që t’i caktojnë lokacionet e përshtatshme që plotësojnë kriteret për ndërtimin e banesave (shih këtu dhe këtu).

Pesë muaj më vonë, më 24 korrik, në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë, u bë e ditur nga ministri Aliu se është miratuar Projektligji për Banimin Social dhe të Përballueshëm (shih këtu), vendim të cilin e publikoi me anë të një imazhi edhe në Facebook (shih këtu).

Nga raportimet e mediave në gjuhën shqipe, artikujt e të cilave hibrid.info i ka hasur, u mësua se gurthemeli për ndërtimin e objekteve banesore për banim social do të vihet në vjeshtë (shih këtu dhe këtu).

Pse nuk u realizua projekti brenda këtij mandati?

 “Nuk kemi mund me hy në fazën e realizimit të projektit pa i bo fazat paraprake të domosdoshme, që janë studimet paraprake të fizibilitetit që i kemi realizu. Pra, po të mund të ishte gjithçka gati dhe të futej drejtpërdrejtë në ndërtim, natyrisht do të mund të bëhej edhe brenda një mandati e tërë kjo punë”

Ky ishte arsyetimi i shprehur nga ministri Aliu në konferencë e datës 24 korrik (shih këtu).


Përfundimi:

Në më shumë se tre vjet qeverisje, premtimi për sigurimin e banimit të përballueshëm për 4 mijë familje, nuk është realizuar.

Me gjithë hapat e ndërmarrë paraprak për realizimin e këtij projekti në tërësi, gjetjet e hibrid.info tregojnë se ndërtimi i këtyre banesave ende nuk ka nisur. Çka do të thotë se ky premtim nuk është mbajtur.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, hibrid.info e vlerëson mos ndërtimin e 4 mijë banesave për çifte të reja si “premtim jo të mbajtur”.

Arsyetimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajtje e premtimit (nëse ai mbahet), mbajtje e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet).

Share With Others

Translate »