Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë në faqen zyrtare në Facebook me datë 2 prill ka postuar disa fotografi në të cilat shihet oxhaku i ngrohtores së qytetit në Prishtinë, i ndriçuar me ngjyrë të gjelbër.
Me anë të këtyre fotografive, faqja e lartcekur ka ngritur pretendimin se “Pas zbukurimeve të disa rrugëve për Ramazan, Komuna e Prishtinës për nder të Ramazanit ndriçon me të gjelbër ngrohtoren e qytetit”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se oxhaku i ngrohtores së qytetit në Prishtinë nuk është ndriçuar me ngjyrë të gjelbër për nder të muajit të Ramazanit, siç pretendon Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë.
Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja “Këshilli i Bashkësisë Islame – Prishtinë”:

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit dhe mediave sociale, hibrid.info ka vërtetuar se ngrohtorja e qytetit “Termokos” në faqen zyrtare të saj në Facebook me datë 3 prill ka publikuar fotografinë e oxhakut të saj të ndriçuar me ngjyrë të gjelbër, në të cilën ka vënë mbishkrimin “E ardhmja është e gjelbër ”.
Pra, duke u bazuar në këtë postim të Termokosit, bëhet e qartë se oxhaku i saj nuk është ndriçuar për nder të muajit të Ramazanit.
Vegëza e postimit të Termokosit në faqen zyrtare në Facebook:

Analiza:
Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë, ka ngritur një pretendim të pasaktë, duke e cilësuar ndriçimin me ngjyrë të gjelbër të oxhakut të ngrohtores së qytetit në Prishtinë, si shkak i muajit të Ramazanit.
Ndërsa vetë ngrohtorja e qytetit “Termokos” në faqen zyrtare të saj në Facebook ka publikuar një imazh të oxhakut të saj me ngjyrë të gjelbër, duke i vënë mbishkrimin “E ardhmja është e gjelbër”, duke lënë të kuptohet se ndriçimi nuk është bërë për nder të muajit të Ramazanit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.