Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një vegëz e sponsorizuar, në formë imazhi, me mbishkrimin që pretendon se Qeveria e Kosovës nga qershori do të ofrojë kurse falas të gjuhës angleze për personat nga mosha 18 – 65 vjeç.
Në përmbajtjen e publikuar dje (18 qershor) në Facebook nga faqja me emrin “Service333”, tutje thuhet se të interesuarit do të mund të përfitojnë tabletë falas dhe një certifikatë brenda katër javësh.
Cila është e vërteta në fakt?
Pretendimi i publikuar është mashtrim.
Vegëza e publikuar në formë imazhi nga faqja “Service333” në Facebook:
Pas klikimit të vegëzës së bashkangjitur, hapet një ueb-faqe, të cilës i mungon emrin i institucionit, organizatës apo biznesit që përfaqëson. Kjo faqe përmban disa seksione, të cilat në shumicën e rasteve, pas klikimit, dërgojnë në ueb-faqe të jashtme, të cilat ofrojnë mundësi për kurs në gjuhën angleze, por që nuk kanë të bëjnë asgjë me Qeverinë e Kosovës. (shih fotografinë më poshtë)
Hibrid.info ka kontrolluar me anë të ueb-faqes “ScamAdviser.com“, mbi kredibilitetin e ueb-faqes në fjalë dhe ka gjetur se faqja në fjalë vlerësohet me besueshmëri të ulët (shih këtu).
Ndërsa edhe në kohështrirjen në Facebook të faqes e cila e ka publikuar këtë përmbajtje, nuk është gjetur asnjë publikim tjetër dhe mungojnë të dhëna rreth veprimtarisë (shih këtu dhe këtu). Hibrid.info ka trajtuar edhe më herët përmbajtje të publikuar nga kjo faqe (shih këtu).
Përndryshe në ueb-faqen e Qeverisë së Kosovës, nuk është gjetur asnjë vendim për pretendimin e mësipërm (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se Qeveria e Kosovës nga qershori do të ofrojë kurse falas në gjuhën angleze, është mashtrim.
Faqja e cila ka publikuar përmbajtjen me këtë pretendim është e dyshimtë, ndërsa nga Qeveria e Kosovës, nuk është publikuar asnjë vendim zyrtar në lidhje me këtë çështje.
Bazuar në metodologjinë në fjalë, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen në fjalë si “Mashtrim”.
Arsyetimi
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.