[email protected]
Përmbajtje mashtruese rreth informatave mbi pensionet
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar në rrjetin social “Facebook” një vegëz e sponsorizuar, në formë imazhi, me mbishkrimin që pretendon se qytetarët mund të shohin se sa para do të marrin nga një plan i pretenduar i subvencionimit të pensioneve.

Kjo vegëz është publikuar (5 qershor) nga një faqe në Facebook me emrin “Life Help”.

Cili është problemi?

Nga kontrollimi që Hibrid.info i ka bërë kësaj faqeje, del se e njëjta nuk ofron mundësinë e pretenduar.


Vegëza e publikuar në formë imazhi nga faqja “Life Help” në Facebook:

https://archive.is/O0zjw


Ndonëse në mbishkrim nuk sqarohet se për cilin vend bën fjalë pretendimi, bazuar në faktin se përmbajtja është shkruar në gjuhën shqipe dhe komente kanë bërë profile me emra shqiptarë, hibrid.info vlerëson se pretendimi mund të lexohet si i vërtetë nga audienca në Kosovë / Shih imazhin:

Pas klikimit në ueb-faqen e paraqitur nga vegëza në fjalë, shihet se faqja e sipërpërmendur shfaq disa seksione, të cilat në shumicën e rasteve, pas klikimit, dërgojnë në ueb-faqe të jashtme, të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me pretendimin.

Po ashtu, hibrid.info ka kontrolluar me anë të ueb-faqes “ScamAdviser.com“, mbi kredibilitetit së ueb-faqes në fjalë dhe ka gjetur se faqja në fjalë vlerësohet me besueshmëri të ulët (shih këtu).

Ndërsa, fakti se faqja në Facebook, e cila e ka publikuar këtë vegëz, ka shumë pak publikime në kohështrirjen e saj dhe nuk ka paraqitur të dhëna apo informacione rreth veprimtarisë, e bën të dyshimtë përmbajtjen në fjalë. Tjetër fakt që këtë faqe e bën të dyshimtë është që publikimi i bërë në formë sponsorizimi nga faqja “Life Help” nuk shfaqet kur futesh në kohështrirjen e faqes në Facebook. (shih këtu).

Gjithashtu, kur klikohet në “Page Transparency” të faqes “Life Help”, te pjesa ku tregohet se nga ku menaxhohet faqja, informatat publike të ofruara nga Facebook na tregojnë se ajo menaxhohet nga dy persona me bazë në Bangladesh. (shih foton më poshtë)

Tutje, në bazë të kërkimeve nga hibrid.info, faktohet se i vetmi akt që rregullon financimin e pensioneve nga shteti, është “Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti” (shih këtu), kurse i vetmi institucion nga i cili qytetarët mund të njoftohen për bilancin e kursimeve pensionale, është “Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trusti” (shih këtu).


Analiza:

Faqja që pretendon se njofton për paratë e subvencionuara për pensione, është mashtrim.

Kredibiliteti i faqes është i ulët, ndërsa informatat nuk bazohen në institucionet zyrtare.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.


Arsyetimi

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »