[email protected]
Përmes fotografisë së vjetër pretendohet rrejshëm për “koordinim të Lumir Abdixhikut me Baton Haxhiun për ta mposhtur Kurtin”
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar për një takim të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe gazetarit Baton Haxhiu.

Sipas mbishkrimit të vendosur në fotografinë e publikuar, pretendimi është se Abdixhiku e Haxhiu janë takuar “me qëllim të koordinimit në procesin zgjedhor për ta mposhtur Albin Kurtin”.

Publikimi u bë nga llogaria “zeridiaspores_2025” më 27 shtator dhe deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info ka grumbulluar mbi 27 mijë shikime.

Çka nuk shkon me publikimin?

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se fotografia është e vjetër. Për të janë gjetur raportime nga data 8 dhjetor 2020 (shih botasot.info). Sipas këtij artikulli, takimi kishte ndodhur në një lokal në Prishtinë. Pra fotografia nuk është aktuale, siç pretendohet në publikimin në TikTok.

Për më shumë, pretendimi i vënë si mbishkrim është i pafaktuar edhe për periudhën e asaj kohe, pasi në atë periudhë në Qeveri ishte LDK-ja, deri kur Gjykata Kushtetuese në fund të dhjetorit 2020 e shpalli të pavlefshëm votimin e Qeverisë që udhëhiqej nga Avdullah Hoti i LDK-së dhe presidenti duhej të shpallte zgjedhjet.

Publikimi në TikTok ka marrë më shumë se 125 komente. Shumë prej tyre e kanë marrë si të re fotografinë. Bazuar në disa komente, kuptohet se lexuesit e kanë marrë si të mirëqenë pretendimin se Abdixhiku e Haxhiu po koordinohen për ta mposhtur kryeministrin aktual, Albin Kurti.

Pretendimi vjen në kohën e intensifikimit të gjuhës elektorale, në prag të zgjedhjeve parlamentare të rregullta, të parapara të mbahen më 9 shkurt 2025. Hibrid.info ka trajtuar disa raste të keqinformimeve që lidhen me udhëheqës partiakë javëve të fundit (shih disa shembuj këtu, këtu dhe këtu)

Analiza:

Në një publikim në TikTok, llogaria “zeridiaspores_2025” ka pretenduar për takim së fundmi të kryetarit të partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, me gazetarin Baton Haxhiu.

Por pas verifikimit të fakteve është gjetur se për fotografinë e njëjtë ishte raportuar edhe në vitin 2020.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »