Shkroi: Festim Rizanaj
Nëpërmjet disa fotografive të publikuara në Instagram (13 dhjetor), Manastiri i Draganacit pretendon se janë dëmtuar varrezat e komunitet serb në Gjilan.
Përkundër faktit se ky manastir nuk aludon në përkatësinë etnike të kryesit apo kryerësve të veprës, Petar Petkoviq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka pretenduar se akti është kryer nga “ekstremistët shqiptarë”.
Petkoviq nuk ofron fakte për këtë pretendim, ndërkaq Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kemi të bëjmë me rast të evidentuar nga vite më herët.
Çka tha Manastiri i Draganacit?
Pas vizitës në varrezat serbe në Gjilan, murgjit e manastirit të Draganacit raportuan një pamje “të tmerrshme” me “monumente të shkatërruara” dhe “kryqe të përdhosur”, pa etiketuar askënd.
Në një postim në Instagram, ata shkruajnë: “Sot vizituam varrezat serbe në Gjilan. Varrezat shqiptare dhe serbe janë pranë njëra-tjetrës, por pamja është krejt ndryshe. Në njërën anën ka rend, gjelbërim dhe monumente të ruajtura; e ana tjetër me monumente të rrënuara, emra të fshirë dhe barishte të këqija – një kujtim i zbehtë i një qyteti ku dikur jetonin mbi 15,000 serbë. As të gjallët nuk po kalojnë më mirë sot”.

Çka tha Petar Petkoviq?
Petar Petkoviq, duke marrë shkas nga ky postim i Manastirit të Draganacit, i cili u bë lajm në mediat në gjuhën serbe, në platformën “X” deklaroi se “që nga viti 1999, në Kosovë janë shkatërruar 10 mijë varre serbe”.
“Të njëjtin fat patën edhe varrezat e Gjilanit, qytet i pastruar etnikisht nga serbët. Përderisa Prishtina dhe Kurti persekutojnë serbët, ekstremistët e tyre ende nuk u japin paqe serbëve të vdekur, varret janë thyer, përdhosur dhe janë shoshitur nga plumbat”, duke aluduar se ky veprim në varrezat në Gjilan është kryer nga shqiptarët.

Kjo deklaratë e tij zuri vend në disa media në gjuhën serbe. (këtu, këtu)
Çka tha Policia e Kosovës për këtë pretendim?
Valon Osmani, zyrtar për informim nga Drejtoria Rajonale e Policisë, Gjilan, në një përgjigje për Hibrid.info nëpërmjet email-it, tha se njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë verifikuar informacionet.
“Pas hetimeve, është konstatuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim të ri, por për një rast të evidentuar që prej disa vitesh më parë”.
Dëmtimi i varrezave serbe
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe shefi i saj, Petar Petkoviq, herë pas here mundohen të krijojnë narracionin se në Kosovë është rritur numri i incidenteve ndëretnike, që kanë në shënjestër serbët. Hibrid.info ka trajtuar rastin e dëmtimit të varrezave serbe në Kishnicë të Graçanicës (dhjetor 2021), ku Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e konsideron këtë veprim si të motivuar etnikisht, edhe pse Policia e Kosovës nuk ka ofruar informacione rreth rastit; si dhe rastin e dëmtimit të një varri në varrezat serbe në Kllokot (tetor 2022) ku Zyra për Kosovën e interpreton pa fakte se “shqiptarët të shtyrë nga urrejtja ndëretnike” e kanë bërë këtë veprim, edhe pse në raportimet e Policisë së Kosovës thuhet se familjarët e të ndjerit që i është dëmtuar varri, nuk dyshojnë në askënd në lidhje me ngjarjen; si dhe rasti në Jug të Mitrovicës (nëntor 2022) e që nuk faktohet se ky veprim është bërë nga shqiptarët.
Analiza:
Më 13 dhjetor, Manastiri i Draganacit publikoi disa fotografi në Instagram duke pretenduar se varrezat e komunitetit serb në Gjilan janë dëmtuar.
Ndërsa manastiri nuk përmend kryerësit e mundshëm, Petar Petkoviq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cilësoi aktin si vepër të “ekstremistëve shqiptarë”.
Megjithatë, Petkoviqi nuk ofron prova për këto pretendime, ndërsa Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është i vjetër dhe i evidentuar prej vitesh.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info vlerëson si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.
Deklaratë e paargumentuar është vlerësimi për deklaratat që figurat politike e publike me ndikim në opinion i bëjnë me pretendime që nuk mbështeten në fakte.