Marrë dhe përshtatur nga stopfake.org
Kremlini e ka përdorur qe një kohë të gjatë kontrollin e fakteve si armë. Qëkur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, rusët kanë hapur kanale në Telegram dhe media të tjera sociale që supozohet të merren me “ekspozimin e propagandës perëndimore” dhe “mbrojtjen e së vërtetës”. Por në fakt, ato po promovojnë të njëjtat narrativa dezinformuese ruse si gjithmonë, por nga një kënd tjetër. Kjo teknikë ka për qëllim të neutralizojë përpjekjet e kontrolluesve të vërtetë të fakteve, që punojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe i përdorur faktet, jo shabllonet propagandistike, për të demaskuar gënjeshtrat.
Kjo nuk ishte e mjaftueshme për Kremlinin, prandaj tani Rusia dëshiron të krijojë ndaras një “shoqatë ndërkombëtare të kontrolluesve të fakteve”, të ashtuquajtur Rrjeti Global i Fact-Checking (GFCN), për t’i bashkuar ata që ndajnë “pikëpamjet dhe vlerat ruse”.
Krijimi i një kuazi-organizate të tillë ishte qëllimi i vetëm i të ashtuquajturit forum ndërkombëtar “Dialogu mbi rrenat 2.0”, i mbajtur në Moskë më 20 nëntor, e që mblodhi të gjithë propagandistët e Kremlinit dhe mbështetësit e tij në botë. Paneli i parë dhe kryesor i kësaj mbledhjeje, që përfshinte zëdhënësen e Ministrisë së Punëve të Jashtme Maria Zakharova, një nga propagandistët kryesorë nga Telegrami – pronarin e kanalit ‘Rybar’ Mikhail Zvinchuk dhe shefin ekzekutiv të agjencisë TASS Andrei Kondrashov, si dhe të tjerë.
Krahas vajtimit të zakonshëm se Perëndimi po vazhdon ta “imponojë” në formë agresive pikëpamjen e vet, teksa rusët mbesin të pandryshueshëm në “luftën për të vërtetën”, ishte kjo konferencë në të cilën u vendos për krijimin e një shoqate të re ndërkombëtare të kontrolluesve të fakteve. Ato ekzistueset – Rrjetit Ndërkombëtar i Kontrolluesve të Fakteve (IFCN), ku hibrid.info dhe stopfake janë anëtare, dhe rrjeti evropian EFCSN – shihen nga rusët si “diçka që përmbush vetëm misione politike dhe nganjëherë nuk kanë të bëjnë asgjë me verifikimin real të fakteve”. Asociacioni rus në anën tjetër, ka për qëllim të ofrojë “alternativë të shëndetshme që do të ndihmojë botën të jetë më e mirë”.
Kjo “alternativë e shëndetshme” u prezantua nga Volodymyr Tabak, shefi ekzekutiv i organizatës jofitimprurëse “Dialog”. Sipas hulumtimeve të gazetarëve, “Dialog”, ndër tjera, shpërndan edhe propagandë me paratë e buxhetit të Rusisë dhe gjatë luftës me Ukrainën “Dialog” kaloi në ofrim të informatave mbështetëse për Ministrinë ruse të Mbrojtjes.
Ai me këtë rast premtoi t’i bashkojë njerëzit sikur ai – ata që “ndajnë pikëpamjet dhe vlerat tona” (pra ato të Kremlinit dhe Ministrisë së Mbrojtjes në Rusi”. Së dyti, Tabak premtoi t’ua mësojë të gjithëve verifikimin e fakteve, offline e online. Pos këtyre vlerave e trajnimeve, “verifikuesit e fakteve” që pajtohen t’i bashkohen kësaj “alternative” do t’u ofrohet qasje FALAS në një hapësirë (që thonë se s’është në dispozicion në shoqatat tjera) ku mund të analizojnë lajmet e rreme, t’i identifikojnë dhe të gjejnë të ngjashme. Në fakt, çdo organizatë profesionale e kontrollimit të fakteve përdor llojllojshmëri platformash të tilla dhe falë anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare u jepet qasje falas dhe edhe vegëza të tjera për verifikim të informatave, por duket se “Dialog” nuk ka kryer as këtu verifikim faktesh. Në këtë pikë nuk ka inovacion.
Tabak po ashtu ka thënë se kjo shoqatë ruse do të pranojë edhe individë e jo vetëm organizata. Në fakt, kushdo që dëshiron të “verifikojë fakte bazuar në vlerat e propagandistëve të Rusisë” do të jetë në gjendje të jetë anëtar. Lista e pjesëmarrësve në ngjarje përbëhet nga njerëz që vazhdimisht janë kapur si autorë të përmbajtjeve keqinformuese nga verifikues faktesh – pjesë të IFCN-së.
Partner i shoqatës është edhe agjencia e lajmeve TASS, makineria bazë shtetërore propaganduese e Kremlinit. Drejtori i përgjithshëm i TASS, Andrey Kondrashov, që nënshkroi krijimin e “asociacionit” me Tabakun, ka thënë se s’ka pasur se si të jetë ndryshe “sepse agjencia TASS ka mision historik në verifikim të fakteve”. Por janë publikimet e TASS që shpesh detektohen si përmbajtje keqinformuese.
Në fund, themeluesit e kësaj shoqate kanë treguar edhe një kod të përgjegjësisë së verifikuesve të fakteve për çështje objektiviteti dhe metodologjie, e që duhej të nënshkruhet para anëtarësimit. Për të thënë se Shoqata Ruse e verifikuesve të fakteve është më e hapur se ato perëndimore, Kondrashov madje u shpreh se “asociacioni amerikan i kontrollon anëtarët e vet çdo vit, për besnikëri politike”, sepse këto organizata anëtare të asociacionit “punojnë vetëm për interesa të shteteve të tjera”. Gjithsesi, kjo i referohet një auditimi të pavarur të kryer nga auditorë të shteteve të ndryshme që në mes të tjerash shohin edhe përputhshmërinë me kode e standarde, e që TASS përballë një auditimi të tillë s’do të mund të kalonte, por edhe këtu dështoi verifikimi i fakteve.
Si rezultat, Rusia po intensifikon përdorimin e verifikimit të fakteve si armë, duke ofruar “të vërtetën”, “metodologjinë” dhe vizionin e saj për botën. Duke ia mundësuar çdo personi që ka simpati për Rusinë të bëhet “kontrollues faktesh”, Kremlini diskrediton atë që bëjnë profesionistët dhe po lufton për ata që janë jo vetëm të pasigurt se çfarë të besojnë, por edhe se nëse mund t’u besojnë informatave të verifikuara. Ky është një raund tjetër i luftimit të informacionit në botën e pas të vërtetës, e që do të duhet të vazhdohet të luftohet për faktet.