Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar pretendimi për arrestimin e Hajredin Kuçit, ish zëvendës kryeministrit të Kosovës, nga Gjykata Speciale.
Pretendimi është gjetur i publikuar më 5 dhjetor në disa nga mediat në gjuhën shqipe si: “RTV Dukagjini”, “RTV Dukagjini/Facebook”, “TëVë1”, “TV Arbëria”, “Lajmi.net”, “GazetaInfokus.com” dhe “Kosova-sot.info”.
Cila është e vërteta?
Për këtë pretendim, disa nga këto media i janë referuar raportimit të mediumit “Paparaci.com”. Por, mesa duket ky medium ka ndërhyrë në përmbajtjen e informacionit duke treguar se në shtëpinë e Kuçit është kryer bastisje (shih këtu).
Disa ditë më vonë Gjykata Speciale ka njoftuar se Kuçi nuk është arrestuar.
Lajmi për bastisjen e shtëpisë së ish-ministrit të Drejtësisë është publikuar edhe në disa media tjera në gjuhën shqipe (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Një ditë më vonë, në një njoftim për media, Dhomat e Specializuara treguan për aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, për vepra në lidhje me përpjekjet e supozuara të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjyqin për krimet e luftës të Thaçit dhe të tjerëve.
Në njoftim u tregua se për katër të parët janë lëshuar urdhër-arreste të veçantë, ndërsa për Kuçin është lëshuar fletë-thirrje. Çka tregon se Kuçi nuk është arrestuar, ashtu siç është pretenduar.
Çka është thirrja dhe çka është urdhërarresti?
Bazuar në amendamentin e Kushtetutës, neni 162 për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar, në paragrafin 6, përcaktohet se Dhomat e Specializuara mund të përcaktojnë rregullat e veta të procedurës dhe provave, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe udhëzohen nga Kodi i Procedurës Penale të Kosovës.
Hibrid.info ka kontrolluar Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, për të gjetur e masave parapara sigurimin e pranisë së të pandehurit.
Sipas nenit 173, masat të cilat mund të përdoren për të siguruar praninë e të pandehurit, për pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale janë: thirrja, urdhërarresti, premtimi i të pandehurit se nuk do ta braktisë vendqëndrimin, ndalimi për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar, paraqitja në stacionin policor, dorëzania dhe arresti shtëpiak.
Neni 174 përcakton se prania e të pandehurit në procedurë penale sigurohet nëpërmjet thirrjes, të cilën gjykata ia dërgon të pandehurit në pajtim me Kapitullin XXVII.
Në këtë nen, tutje shpjegohen edhe procedurat për zbatimin e kësaj mase.
Ndërsa neni 175 shpjegon masën e urdhërarrestit, i cili lëshohet nga gjyqtari i procedurës paraprake, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues sipas detyrës zyrtare, me kërkesë të prokurorit të shtetit, ose në rrethana të ngutshme me kërkesë të policisë kur ekzistojnë kushtet nga paragrafi 1. i nenit 187 të këtij Kodi, ose kur i pandehuri i cili pasi është thirrur me rregull nuk paraqitet dhe nuk e arsyeton mungesën e tij ose kur thirrja nuk ka mundur t’i dërgohet sipas rregullit dhe kur sipas rrethanave është e qartë se i pandehuri i shmanget pranimit të thirrjes.
Analiza:
Pretendimi për arrestimin e Hajredin Kuçit nga Gjykata Speciale, është i pasaktë.
Ndaj Kuçit është ngritur aktakuzë nga ky institucion, por prania e Kuçit si i pandehur në procedurë penale është vendosur të sigurohet nëpërmjet thirrjes, si një nga masat e përdorura për të siguruar praninë e të pandehurit, në bazë të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Përmbajtje e paverfikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I paverifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.