Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një artikull i titulluar, “Eurostat nxjerr Shqipërinë me pagën minimale më të ulët në Evropë sipas fuqisë blerëse”.
Ky tekst është publikuar sot (12 prill) nga mediumi, “albanianpost.com”.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Në nëntitull është paraqtitur pretendimi i pasaktë se Kosova radhitet në mesin e vendeve të cilat nuk kanë pagë minimale kombëtare.

Ky medium i është referuar një publikimi të “eurostat.com”, uebfaqe zyrtare e Bashkimit Evropian (BE) për nxjerrjen e statistikave (shih këtu).
Në brendësi tregohet për rregullimin e pagës minimale në dhjetë vendet kandidate dhe kandidatet potenciale për t’u anëtarësuar në BE, ku edhe aty përmendet Kosova, si shtet që nuk ka një pagë minimale (shih këtu).
Nuk dihet se nga cili vit, “eurostat.com” i ka marrë të dhënat, kur i është referuar Kosovës, por artikulli paraqet të dhënat e pagës minimale për vendet në Evropë, për vitin 2025.
Në Ligjin e Punës, i cili kishte hyrë në fuqi në vitin 2010, neni 57 rregullon caktimin e pagës minimale (shih këtu).
Neni 57
Paga minimale
1. Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalanderik përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshilli
Ekonomiko-Social.
2. Gjatë përcaktimit të pagës minimale duhet të merren parasysh këto faktorë:
2.1. kostoja e shpenzimeve jetësore;
2.2. përqindja e shkallës së papunësisë;
2.3. gjendja e përgjithshme në tregun e punës;dhe
2.4. shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend.
3. Paga minimale përcaktohet në bazë të orëve të punës, për periudhën një (1) vjeçare, e cila publikohet
në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
4. Paga minimale mund të përcaktohet me marrëveshje në nivel kombëtar, në nivel dege dhe në nivel të
ndërmarrjes, por që nuk duhet të jetë më e ulët se paga minimale e paraparë në paragrafin 1. të këtij
neni.
Hibrid.info ka gjetur se më 23 gusht të vitit 2024, hyri në fuqi Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e benificionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore (shih këtu).
Deri sa me nenin e vjetër të Ligjit të Punës parashihej që propozimet për caktimin e pagës minimale të vinin nga Këshilli Ekonomiko -Social (i përbërë nga Organizatat e të punësuarve (sindikatat), Organizatat e punëdhënësve, dhe Qeveria e Kosovës), me anë të ndryshimeve në këtë Ligj, përcaktohej se në mungesë të një propozimi të tillë nga ky këshill, ministri përkatës për Financa, pas informimit të Këshillit Ekonomiko Social, mund të parashtrojë një propozim të tillë për Qeverinë e Kosovës.
Neni i 57 me ndryshimet e Ligjit
Qeveria e Republikës së Kosovës në fund të çdo viti kalanderik përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshilli Ekonomiko-Social. Në mungesë të një propozimi të tillë nga Këshilli Ekonomiko Social, Ministri përkatës për Financa, pas informimit të Këshillit Ekonomiko Social, mund të parashtrojë një propozim të tillë për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Me të hyrë në fuqi, ky ndryshim i kishte mundësuar Qeverisë së Kosovës të vepronte, e cila pak ditë më vonë mori vendim për rritjen e pagën minimale në vend në 350 euro bruto për punëtorët e të gjitha moshave, pa dallim (shih këtu).
Në këtë vendim shfuqizohej përcaktimi i lartësisë së pagës minimale që ishte që nga viti 2011 (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se Kosova nuk ka pagë minimale kombëtare nuk qëndron.
Përcaktimi i pagës minimale në vendin tonë është i rregulluar me ligj, ndërsa që nga gushti i vitit të kaluar është në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta përcaktuar pagën minimale në 350 euro bruto, për të gjithë punëtorët pa dallim moshe.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “të paverifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.