Në median sociale “Telegram” është publikuar një postim që pretendon për prezencën e dronëve (së paku 5) mbrëmë (21 korrik) në veri të Kosovës që, siç thuhet, nuk janë të KFOR-it por të shqiptarëve.
Kanali në Telegram në gjuhën serbe që mbanë emrin “БУНТ је стање духа” (shqip: rebelimi është një gjendje shpirtërore) ka pretenduar se “më shumë dronë fluturojnë mbi veriun e Kosovës sesa në Ukrainë, lind pyetja, cili është funksioni i KFOR-it në Kosovë?”, duke nënkuptuar se dronët i takojnë njësive të sigurisë së Kosovës dhe pse KFOR-i po e lejon fluturimin e tyre mbi hapësirën ajrore në veri.
Ky pretendim i publikuar nga ky kanal nuk bazohet në ndonjë burim kredibil për pretendimin e bërë.
Vegëza e postimit nga kanali “БУНТ је стање духа” në Telegram:
Ky postim i publikuar dje (21 korrik) deri në shkrimin e këtij artikulli ka arritur të grumbullojë mbi 15 mijë shikime.
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur ndonjë artikull të publikuar në mediat online në gjuhën shqipe apo serbe, që mbështesin një pretendim të tillë.
Po ashtu, nuk është publikuar ndonjë njoftim nga KFOR-i për prezencën e dronëve në veri të Kosovës.
Për më tepër, më 16 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për blerjen e dronëve Bayraktar TB-2 nga Turqia, por nuk ka treguar për numrin e tyre.
Megjithatë, në pretendimin e kanalit “БУНТ је стање духа”, nuk specifikojnë për llojet e dronëve që pretendohet se janë parë.
KFOR-i ka lëshuar një deklaratë në lidhje me përdorimin e dronëve, duke thënë se “hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale”, dhe se për hapësirën e poshtme nevojitet autorizimi i komandantit të KFOR-it.
“Lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimet përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999 (Marrëveshja e Kumanovës), Komanda e misionit paqeruajtës ushtarak të NATO-s në Kosovë “KFOR” ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovë”. (këtu)
Hapësira e poshtme ajrore nënkupton lartësinë deri në 6.250 metra. Dronët Bayraktar TB-2 fluturojnë kryesisht në lartësi deri në 5.000 metra. (këtu)
Analiza:
Nuk ka mbështetje faktike pretendimi i kanalit “БУНТ је стање духа” në telegram për prezencën e dronëve të shqiptarëve në veri të Kosovës.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “lajm i rremë”.
Vlerësimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.