Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një përmbajtje që pretendon se nga qershori i vitit 2024, presonat mbi moshën 50 vjeçare në Kosovë, do të marrin rimbursim ndërmjet 63% dhe 91% të faturave të energjisë elektrike.
Pretendimi është paraqitur me anë të një një vegëze në formë imazhi, e publikuar (19 qershor) si e sponsorizuar nga një faqe me emrin “Connie”, në Facebook.
A është i saktë pretendimi?
Ndonëse në imazhin e publikuar shihet logoja e Republikës së Kosovës, hibrid.info ka gjetur se nuk ka vendim zyrtar institucional që ofron mundësinë e pretenduar.
Vegëza e publikuar në formë imazhi nga faqja “Connie” në Facebook:
Hibrid.info ka gjetur se pas klikimit të vegëzës se lartcekur, ueb-faqja e shfaqur nuk jep asnjë mundësi aplikimi për atë që pretendohet në njoftim. Nga informatatat e paraqitura, mungon emrin i institucionit, organizatës apo biznesit që përfaqëson ueb-faqja si dhe nuk dëshmohet asnjë lidhje e saj me institucionet e Kosovës (shih këtu).
Për të vërtetuar se sa kredibile është kjo ueb-faqe, hibrid.info ka kontrolluar në platformën që vlerëson besueshmërinë e faqeve, “ScamAdviser.com”. Të dhënat tregojnë se ueb-faqja e kontrolluar ka besueshmëri të ulët (shih këtu).
Hibrid.info po ashtu ka hulumtuar edhe faqen në Facebook, e cila ka publikuar njoftimin e pretenduar. Në kohështrirjen e kësaj faqe është vërejtur numër i vogël postimesh (këtu), ndërsa të dhënat rreth veprimtarisë mungojnë (këtu).
Informatat e gjetura rreth faqes “Connie”, tregojnë se ajo është krijuar më 10 maj të vitit 2024, ndërsa vend-ndodhja e dy prej të cilëve menaxhojnë me faqen, rezulton të jetë Bangladeshi.
Tutje, e vetmja mundësi për rimbursim faturash të energjisë elektrike, e gjetur nga hibrid.info, është mundësia e aplikimit për familjet e cënueshme, të cilat kanë filluar të subvencionohen që nga janari i këtij viti (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se personave të moshës mbi 50 vjeçare, do të iu rimbursohen faturat e energjisë elektrike, është i pa vërtetë.
Publikuesi i njoftimit është i dyshimtë, ndërsa mundësia për rimbursim faturash është ofruar vetëm për familjet e cënueshme, nga Ministria e Financave.
Bazuar në metodologjinë e punës, hybrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.