[email protected]
Pretendim i rremë se Kuvajti do t’i investojë mbi 1 miliardë euro në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Pretendohet se është arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Kuvajtit.

Përmes një postimi në Facebook nga faqja “Lajme Nga Bota”, pretendohet se Kuvajti do t’i investojë afro 1 miliardë euro në Kosovë, të cilat do të investohen në spitale të reja, stadium të ri në Prishtinë si dhe autostrada.

Fotografia në këtë postim paraqet kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Princin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled Al-Sabah.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi i lartcekur nuk qëndron. Një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar në asnjë burim kredibil.


Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja “Lajme Nga Bota” (shih këtu)


Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia është shkrepur gjatë takimit që kryeministri i Kosovës pati me Princin e Kuvajtit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Përmes një njoftimi në ueb-faqen zyrtare të Kryeministrisë, sqarohet se në takim është biseduar për potencialin investues në vend dhe mundësinë e zgjerimit të investimeve të kompanive nga Kuvajti në Kosovë në fusha si energjia e rinovueshme, bujqësia dhe infrastruktura. (shih këtu)

Por, në asnjë rast nuk është përmendur se Kuvajti do të investojë afro 1 miliardë euro, siç pretendohet në postimin e publikuar në Facebook.

Pjesë nga komunikata e lëshuar nga ueb-faqja zyrtare e Kryeministrisë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në Nju Jork nga Princi i Kuvajtit, Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri Kurti dhe Princi Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah i Kuvajtit biseduan për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit dhe rritjen e investimeve.

Ata folën edhe për potencialin investues në vend dhe mundësinë e zgjerimit të investimeve të kompanive nga Kuvajti në Kosovë në fusha si energjia e rinovueshme, bujqësia dhe infrastrukturë.


Hibrid.info ka kërkuar në “Google” me fjalët kyçe (Kuvajti do të investojë 1 miliardë euro në Kosovë), e që rezultatet nuk shfaqin asnjë artikull të publikuar lidhur me këtë çështje. (shih këtu)


Analiza:

Përmes një postimi në Facebook u pretendua se Kuvajti do t’i investojë afro 1 miliardë euro në Kosovë.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron. Kjo për faktin se në takimin që kryeministri Kurti pati me Princin e Kuvajtit, nuk përmendet në asnjë rast se ky shtet pritet të investojë afro 1 miliard euro.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »