Shkroi: Festim Rizanaj
Mediumi rus, Russia Today (RT) Balkans, shërbimi në gjuhën serbe, ka publikuar një artikull (11 dhjetor) me pretendimin se “ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë përfshirë në terrorizmin ndërkombëtar”.
Artikull bazohet në një deklaratë të Operativit të Sigurimit të Shtetit në pension, Božidar Spasić (Bozhidar Spasiq), i cili pretendon se ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë përfshirë në terrorizmin ndërkombëtar si mercenarë ose siç iu referohet ai, “qen të luftës” (the dogs of war – kap idenë e luftës si një forcë që, pasi të lëshohet, është shumë e vështirë të kontrollohet nga të dyja palët), duke marrë pjesë në konflikte si në Ukrainë kundër Rusisë, në Siri kundër regjimit të Bashar al-Asadit dhe në Gaza. Sipas tij, këta individë veprojnë në kuadër të grupeve si ISIS dhe Al Kaida dhe janë të motivuar financiarisht, duke përfituar paga të larta dhe të drejtën për të plaçkitur në zonat e luftës. Një pjesë e të ardhurave të tyre pretendohet se shkon për fondet e UÇK-së, për t’i mbajtur ata të gatshëm për mobilizime të ardhshme.

Spasiq gjithashtu pohon se autoritetet shqiptare në Kosovë bashkëpunojnë me SHBA-në për pajisjen dhe trajnimin e këtyre luftëtarëve në bazën Bondsteel, ku sigurohet logjistika për misionet e tyre jashtë Kosovës. Ai identifikon Abdul Jashari, një lider xhihadist shqiptar, si shembull të qartë të këtyre përfshirjeve, duke sugjeruar se ai ka qenë pjesë e UÇK-së gjatë konfliktit në Kosovë dhe më pas ka vazhduar aktivitetet e tij terroriste ndërkombëtare.
Konteksti i pretendimeve pa fakte
Pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në konflikte ndërkombëtare, përfshi Ukrainën dhe Sirinë, dhe organizata terroriste si ISIS nuk janë mbështetur me prova konkrete. Nuk ka raporte zyrtare ose burime të pavarura që konfirmojnë këto akte ose lidhjet e tyre me këto grupe.
Gjatë këtij viti, mediat dhe zyrtarët rusë kanë pretenduar se ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë të përfshirë në luftën në Ukrainë, duke përfshirë akuza të rënda, si trafikimi i organeve. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës, të cilat i kanë konsideruar si të pabaza dhe pa prova.
Krahas kësaj, Kosova ka miratuar Ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, i cili parashikon dënimin me burgim prej pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet për ata që organizojnë, rekrutojnë, udhëheqin apo trajnojnë individë për pjesëmarrje në grupe paraushtarake ose parapolicore jashtë Kosovës. Ky ligj u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 12 mars 2015, dhe u konsiderua si një hap i rëndësishëm në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar.
Akuzat për fondet e UÇK-së dhe lidhjet me bazën Bondsteel mbeten spekulime, pasi nuk janë ofruar dëshmi të verifikueshme që mbështesin këtë bashkëpunim të pretenduar.
Ndryshe, Kosova, në bashkëpunim me ShBA-në, ka realizuar aksione për kthimin e shtetasve të saj nga vatrat e luftës në Siri. Ata janë ndjekur penalisht dhe shumë prej tyre janë dënuar me burgim.
Në lidhje me Abdul Jasharin, në publikimin “Luftëtarët e huaj dhe xhihadistët vendorë nga Ballkani Perëndimor: Tendenca dhe implikime” nga Qendra e Luftës Kundër Terrorizmit në Uest Point, thuhet se komandanti i njësisë është Abdul Jashari, një shtetas etnik shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i njohur me emrin e luftës Abu Qatada al-Albani. Jashari është një figurë me ndikim dhe këshilltar ushtarak i ngushtë i Abu Muhammad al-Julani, liderit të HTS, i cili e emëroi Abu Qatada al-Albanin në verën e vitit 2014 për të udhëhequr operacionet ushtarake të organizatës në Siri. Departamenti i Thesarit i SHBA-së e ka shpallur Jasharin terrorist më 10 nëntor 2016. Emri i tij është shfaqur kohët e fundit në komunikatat e HTS si një nga anëtarët e një komiteti të lartë që ka për detyrë udhëheqjen e përpjekjeve për pajtimin me Hurras al-Din, një fraksion xhihadist i lidhur me al-Kaidën.
Por, publikimi i Qendrës së Luftës Kundër Terrorizmit në Uest Point nuk argumenton asnjë lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet Abdul Jasharit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Përkundrazi, ai e përshkruan Jasharin si një figurë të njohur në radhët e grupeve xhihadiste në Siri dhe si një këshilltar të ngushtë të liderit të HTS, Abu Muhammad al-Julani, pa përmendur asnjë lidhje me UÇK-në.
Analiza:
Mediat ruse, si Russia Today (RT) Balkans, kanë publikuar pretendime se ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë përfshirë në terrorizmin ndërkombëtar, duke u angazhuar në konflikte si në Ukrainë, Siri dhe Gaza, dhe se ata veprojnë në kuadër të grupeve terroriste si ISIS dhe Al Kaida.
Këto pretendime, megjithatë, nuk janë mbështetur me prova konkrete dhe janë hedhur poshtë nga autoritetet kosovare, të cilat kanë theksuar se akuzat për përfshirje të UÇK-së në këto aktivitete janë të pabaza dhe pa mbështetje faktike.
Kosova ka miratuar ligje për të luftuar përfshirjen e shtetasve të saj në konflikte të jashtme dhe ka zhvilluar aksione për kthimin dhe ndjekjen penale të individëve të përfshirë në luftërat jashtë vendit, duke përfshirë këtu edhe dënimet për shumë prej tyre.
Bazuar në metodologjinë e punës, ky pretendim vlerësohet si “dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.