Shkroi: Fatbardh Dema
Një faqe në Facebook me emrin “Mitrovica Ime” ka publikuar me datë 13 prill një postim me pretendimin se nga data 1 qershor, në gjithë territorin e Kosovës buka do të kushtojë 25 cent dhe se secila furrë që nuk e zbaton këtë vendim, do të gjobitet.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në lidhje me zbritjen e çmimit të bukës nga data 1 qershor.
Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja “Mitrovica Ime”:
Pas hulumtimit përmes makinave online të kërkimit përmes fjalisë “nga data 1 qershor, në gjithë territorin e Kosovës buka do të kushtojë 25 cent”, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informatë të publikuar në lidhje me ndonjë vendim për zbritjen e çmimit të bukës. (shih këtu)
I vetmi artikull që është gjetur me titull “Buka lirohet në 25 cent”, i publikuar në vitin 2009 në portalin “Telegrafi.com”. (shih këtu)
Analiza:
Pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se një faqe në Facebook ka pretenduar rrejshëm se nga data 1 qershor, çmimi i bukës në Kosovë do të zbritet në 25 cent dhe se kush do që nuk i përfillet këtij vendimi, do të gjobitet.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.