Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet një postimi në median sociale, TikTok, është pretenduar se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka propozuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pas një takimi që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pretendimi u bë nga llogaria “ballistet.39” më 12 dhjetor.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pas verifikimit të fakteve, del se pretendimi është i rremë.
Fotografia e përdorur në publikimin në TikTok është e njëjta që është publikuar në faqen e presidentes, Vjosa Osmani, më 8 dhjetor në Facebook. Në fotografinë e Osmanit me Trumpin, ka qenë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. “Aleanca euroatlantike!” kishte shkruar Osmani si përshkrim.
Osmani kishte publikuar foto me Trumpin edhe më 7 dhjetor. “Me Presidentin Trump, në ceremoninë e rihapjes së Katedrales së Parisit ‘Notre Dame’”, kishte shkruar ajo si përshkrim.
Pos shkrimeve në Facebook, edhe uebfaqja zyrtare e Presidencës ka njoftuar për takimet, por pa dhënë detaje shtesë nga ato që ka ofruar Osmani në Facebook (shih këtu dhe këtu).
Për takimet, Osmani kishte bërë publikim edhe në Twitter. Ka treguar se e ka uruar Trumpin për fitoren dhe ka shprehur gatishmërinë për të forcuar aleancën mes dy shteteve. “Ne mbështetemi në udhëheqjen e fortë të SHBA-së, teksa punojmë së bashku për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë”, kishte shkruar ajo.
Hibrid.info ka verifikuar postimet e Trumpit në rrjete sociale dhe nuk ka gjetur ndonjë informatë për takimin me Osmanin.
Edhe po që se kërkohen detaje përmes motorit online të kërkimit “Google”, nuk mund të gjenden informata kredibile për pretendimin në fjalë.
Analiza:
Pretendimi se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka propozuar bashkimin Kosovë-Shqipëri, pas një takimi që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, është i rremë.
Pas verifikimit nga hibrid.info, del se publikimi në TikTok nga llogaria “ballistet.39” nuk është i mbështetur në asnjë fakt. Pretendimi nuk mbështetet në asnjë prej postimeve të Osmanit dhe njoftimeve të Presidencës, por as në ndonjë medium kredibil.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.