[email protected]
Publikohet sërish mashtrim me anë të kriptovalutave duke keqpërdorur emrin e Vehbi Kajtazit
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një vegëz në formë fotografie me mbishkrimin në gjuhën angleze “Vehbi Kajtazi did not knoë that the microphone was on, and we said goodbye forever” që në gjuhën shqipe do të thotë “Vehbi Kajtazi nuk e dinte që mikrofoni ishte i ndezur dhe ne u përshëndetëm me të përgjithmonë”.

Fotografia që ka formën e një artikulli të shkruar në portalin “PrishtinaInsight.com”, është publikuar dje (25 gusht) nga një faqe në Facebook me emrin “Urelirippar”.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se kjo përmbajtje paraqet një intervistë fiktive ndërmjet moderatorit të emisionit “Intervista e Buzhalës”, Berat Buzhala, i cili e kishte të ftuar drejtorin e mediumit “Paparaci.com”, Vehbi Kajtazin, ku tregohet për një platformë të supozuar të kriptovalutave, të quajtur “Nearest Edge”.

Nuk është hera e parë që përmbajtje të ngjashme janë hasur e trajtuar nga hibrid.info (shih këtu, këtu dhe këtu).


Vegëza e publikuar në formë imazhi nga faqja “Urelirippar” në Facebook:

https://archive.ph/fR2zm


Vegëza e klikuar shfaq një artikull të titulluar “Banka e Kosovës po padit Vehbi Kajtazi për ato që tha në televizionin live”. Teksti është paraqitur si imitim i ueb-faqes së mediumit, “Telegrafi.com”.

Artikulli njofton për një deklarimi publik të Vehbi Kajtazi që pretendohet të jetë bërë në emisionin “Intervista e Buzhalës”, ku supozohet se ai ka folur mbi mënyrën e pasurimit nëpërmjet platformës online “Nearest Edge”.

Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinave të kërkimit dhe ka gjetur Intervistat e vetme ku Kajtazi ka folur për emisionin në fjalë, e cila është gjetur në kanalin zyrtar të portalit “Nacionale.com”, në Youtube, e publikuar më 23 janar të vitit 2023. Intervista, nga edhe prej së cilës janë shkëputur imazhet e këtij artikulli, është e publikuar në dy pjesë dhe në të nuk është diskutuar për mënyrën e pretenduar të të pasuruarit (shih këtu dhe këtu).

Hibrid.info ka kontrolluar me anë të makinës së kërkimit “Google”, edhe për pretendimin e ndonjë padie të mundshme nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK, (të cilës në artikull i referohen si Banka e Kosovës) për gazetarin Vehbi Kajtazi, por që nuk ka gjetur asnjë burim kredibil që konfirmon atë (shih këtu).

Po ashtu, hibrid.info ka verifikuar besueshmërinë e kësaj ueb-faqe, me anë të platformës për kredibilitetin e ueb-faqeve, “ScamDoc.com“, ku në bazë të të dhënave të shfaqura, konfirmohet se ky domain vlerësohet të jetë mesatarisht i besueshëm dhe burim i përmbajtjeve që cilësohen të jenë “SPAM”(shih këtu).

Ndërsa, për të vërtetuar se ky artikull nuk është përgatitur nga mediumi “telegrafi.com”, faqja e logoja e të cilit shfaqen në këtë artikull, hibrid.info ka kontrolluar në ueb-faqen e këtij portali, lajmet për gazetarin Kajtazi, por nuk ka gjetur asgjë të ngjashme me pretendimin në fjalë (shih këtu). Ky portal, gjithashtu kishte mohuar për “hibrid.info” autorësinë e kësaj përmbajtjeje.

Gjithashtu, as në portalin informativ “PrishtinaInsight.com” nuk është gjetur i publikuar një artikull i tillë (shih këtu).

Pra, faqja “Uerlirippar” në Facebook ka keqpërdorur logot e mediumeve “Telegrafi.com” dhe “PrishtinaInsight.com”.


Sa i përket publikuesit të kësaj përmbajtjeje, hibrid.info ka verejtur se faqja nuk ka asnjë postim dhe asnjë ndjekës (shih këtu). Kjo faqe është krijuar më 20 korrik të vitit 2024, ndërsa nuk dihet kush e menaxhon.


Analiza:

Pretendimi se Vehbi Kajtazi është paditur nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), pasi ka folur për pasurimin me anë të një platforme të supozuar kriptovalutash, është i pasaktë.

Ky pretendim është paraqitur si imitim i ueb-faqeve të mediave “PrishtinaInsight.com” dhe “Telegrafi.com. I njëjti nuk është gjetur i publikuar në mediat apo në institucionin, të cilave iu referohen.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë” dhe “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »