Shkroi: Fatbardh Dema
Sot (8 gusht) në median sociale Facebook në formë të sponzorizuar (reklamë) janë publikuar disa postime me fotografi të gazetarëve e politikanëve kosovarë.
Në këto postime shihen figura si gazetarët Valon Syla e Vehbi Kajtazi, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kryetari i subjektit politik Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.
Çka përmbajnë këto postime?
Të gjitha këto postime të publikuara nga faqe të ndryshme në Facebook, përmbajnë mbishkrimin e njëjtë “Shocking news! Have you heard about the tragic end of…” që në shqip i bie “Lajm tronditës! A keni dëgjuar për fundin tragjik të…”, duke i shtuar secilit postim emrin e personazheve të lartcekura.
Gjithashtu, në pjesën e poshtme të këtyre postimeve shihen emra të mediumeve online në Kosovë si “Zeri.info”. “KlanKosova.tv” e “Telegrafi.com”. Ndërsa në pjesën e epërme të imazhit gjendet emri i mediumit në gjuhën serbe në Kosovë “Kossev”.
Verifikimi:
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se këto postime janë të rreme, të manipuluara në aspektin vizual. Në asnjë nga këto mediume të lartcekura nuk janë gjetur të publikuar artikuj të tillë.
Fotografitë e publikuara në Facebook nga faqet si “AnimeLovers”, “Black Sea” dhe “Wemailan”:
Hibrid.info ka arritur të gjejë faqen e lartcekur në Facebook “Wemailan”, e cila kishte publikuar fotografinë e gazetarit Vehbi Kajtazi. Por në historikun e publikimeve të kësaj faqeje nuk gjendet një postim i tillë. E njëjta faqe nuk ka asnjë ndjekës dhe është hapur dje (7 gusht) (shih këtu).
Ndërsa faqja tjetër e gjetur nga hibrid.info, “AnimeLovers” ka postuar një përmbajtje në formë të sponzorizuar (reklamë), duke e përdorur emrin e mediumit online “KlanKosova.tv” dhe logon e mediumit në gjuhën serbe “kossev”. (shih këtu)
Pas klikimit në këtë postim, shfaqet një ueb-faqe që mban emrin “notting-hill-carnival-app.com”. Duke përdorur platformën për kredibilitetin e ueb-faqeve “Scamdoc.com”, na shfaqen rezultate që ky domain ka nivel të ulët të besueshmërisë, si dhe i njëjti figuron që është i regjistruar në Islandë. (shih këtu)
Lidhur me këto postime, kanë reaguar edhe gazetarët Valon Syla dhe Vehbi Kajtazi, duke i quajtur ato si “lajme të rreme” e “propagandë”. (shih këtu dhe këtu)
Reagim në lidhje me këto postime kishte edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, AGK i cilësoi këto postime si fushatë të rrezikshme për gazetarët dhe mediet, duke bërë thirrje Policisë së Kosovës me Njësitit Kibernetnik, që të hetojë prejardhjen e postimeve të tilla dhe të parandalojë vazhdimin e publikimit të tyre. (shih këtu)
Analiza:
Nga faqe të ndryshme në median sociale Facebook u publikuar fotografi të disa zyrtarëve politikë dhe gazetarëve në Kosovë, me pretendimin se të njëjtit kanë ndërruar jetë.
Në këto postime paraqiten emrat dhe logot e disa mediave online në shqip dhe serbisht.
Mirëpo, pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, në asnjë nga këto media nuk është gjetur i publikuar ndonjë artikull me pretendim të tillë.
Të gjitha këto përmbajtje posedojnë pretendime të rreme dhe të njëjtat janë të manipuluara në aspektin vizual.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Mashtrim” dhe “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.