info@hibrid.info
Publikohet sondazh i rremë me pretendimin se është kryer më 28 nëntor
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

U publikua një sondazh që pretendohet të jetë kryer ditëve të fundit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Ky sondazh u publikua në TikTok nga llogaria “liria_ka_emër” me datë 30 nëntor. Në përshkrimin e këtij postimi pretendohet se sondazhi u realizua 48 orë më herët.

Përmbajtja i rendit partitë politike si vijon: VV: 50.3%, PDK: 17%, LDK: 15.5%, AAK/Nisma: 8.6% dhe LS: 3%.

Por, cila është e vërteta?

Hulumtimi i hibrid.info nuk ka gjetur se një sondazh i tillë është publikuar nga burime kredibile.

Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës online të kërkimit “Google”, duke kërkuar me fjalët kyçe “sondazhi i fundit për zgjedhjet në Kosovë” dhe “VV: 50.3%, PDK: 17%, LDK: 15.5%, AAK/Nisma: 8.6%, LS: 3%”. Mirëpo, rezultatet nuk shfaqin një sondazh të tillë të publikuar.


Rreth sondazheve

Dy sondazhet për të cilat ka pasur publikime muajve të fundit janë ai i prillit, kur “reporteri.net” publikoi disa të dhëna për të cilat raportoi se janë marrë nga një sondazh i kryer nga kompania “UBO Consulting” dhe ai qershorit kur “albanianpost.com” publikoi sondazh të realizuar nga kompania “Source” në bashkëpunim me këtë portal. Të dhënat e dy sondazheve tregonin përqindje tjera.


Analiza:

Pretendimi se më 28 nëntor u publikua një sondazh lidhur me subjektet politike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, është i rremë.

Hibrid.info nuk ka gjetur se sondazhi i pretenduar, është realizuar nga ndonjë kompani. Po ashtu, një sondazh me të këto të dhëna nuk është gjetur i publikuar në asnjë burim kredibil.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë” dhe “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »