info@hibrid.info
Raportimet se këmbësorja e aksidentuar në Pejë ka vdekur, nuk janë të sakta
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Mbrëmë, media të ndryshme në gjuhën shqipe kanë publikuar artikuj me përmbajtje pothuajse të njëjtë, të titulluar, “Vdes 23-vjeçarja që u godit nga një polic në zebra në Pejë, ky është identiteti i autorit”.

Përmbajtja me këtë pretendim është gjetur e publikuar më 1 prill në mediat si: “botasot.info”, “ballkani.info” dhe “zyrtare.net”.

Sa është i vërtetë pretendimi?

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur dje në fshatin Qyshk të Pejës, ku një këmbësore është goditur nga një veturë. Mirëpo, për dallim nga raportimet e djeshme se viktima ka vdekur, Hibrid.info ka gjetur se gjendja e saj vazhdon të jetë e rëndë.

Për këtë pretendim, në brendësi të artikujve shihet se keto media u janë referuar mediave si “paparaci.com” dhe “insajderi.org”.

Nga rezultatet e kërkimit me fjalët kyçe “vdes-23-vjecarja-qe-u-godit-nga-nje-polic-ne-zebra-mesohet-identiteti-i-autorit-dhe-viktimes” në makinën e kërkimit “Google”, del se ky artikull ka qenë i publikuar edhe në faqen në Facebook të medias online në gjuhën shqipe “paparaci.com”, por që i njëjti postim nuk hapet pas klikimit të linkut, që dmth është fshirë në ndërkohë (shih këtu).

As vegëza e artikullit të publikuar në “insajderi.org” nuk shfaq artikullin më (shih këtu).

Ndërkaq, Hibrid.info ka gjetur raportime nga media tjera të cilat, duke u thirrur në burime zyrtare nga Prokuroria dhe QKUK-ja, kanë treguar se e aksidentuara nuk ka vdekur, ndonëse është në gjendje të rëndë shëndetësore (shih këtu dhe këtu).


Analiza:

Pretendimi se një këmbësore ka humbur jetën pasi është goditur nga një veturë, është i pasaktë.

Hibrid.info gjeti se viktima vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “të paverifikuar”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »