Faqet në Facebook “Feja Ime”, “Exclusive Albania Today” dhe “Shqipet” kanë publikuar dje (24 janar) një artikull me titull “Shtohen tensionet: Sulmohet stacioni i policisë së Kosovës në Jasenovik, këto janë dyshimet e para”.
Ky lajm është publikuar në portalin e dyshimtë “gazetaylli.com”, e më pas është shpërndarë dje (24 janar) në Facebook nga faqe të ndryshme. (shih këtu)
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky artikull është i vjetër, i publikuar në kohë reale (3 nëntor 2022).
Ngjarja kishte ndodhur në muajin nëntor 2022, atëkohë kur Policia kufitare e Kosovës ishte sulmuar me armë zjarri në veri të vendit, ndërsa sulmi ndaj policisë kishte ndodhur në objektin për mbikëqyrje kufitare në Jasenovik.
Pra, këtë lajm të vjetër, këto faqe të lartcekura janë munduar ta paraqesin si aktual.
Vegëzat e artikullit të publikuar në Facebook nga faqet “Feja Ime”, “Exclusive Albania Today” dhe “Shqipet”:
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë këtë artikull të publikuar në kohë reale (3 nëntor 2022) në disa media online në Kosovë. (shih këtu dhe këtu)

Analiza:
Disa faqe në Facebook kanë publikuar dje (24 janar) një artikull të vjetër të muajit nëntor, lidhur me sulmin ndaj Policisë kufitare të Kosovës, i cili kishte ndodhur në objektin për mbikëqyrje kufitare në Jasenovik.
Këtë lajm të vjetër, këto portale janë munduar ta paraqesin si aktual, kështu duke lënë vend për keqinformim te lexuesit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.